Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Bilanci i protestave në Iran kalon 3.000 viktima, interneti rikthehet gradualisht pas...

Bilanci i protestave në Iran kalon 3.000 viktima, interneti rikthehet gradualisht pas ndërprerjes

Numri i viktimave nga protestat mbarëkombëtare në Iran ka kaluar shifrën 3.000 të vdekur, ndërsa lidhja me internetin ka nisur të rikthehet ngadalë pas një ndërprerjeje tetëditore, sipas organizatave monitoruese dhe dëshmive të banorëve.

Grupi amerikan për të drejtat e njeriut HRANA njoftoi të shtunën se ka verifikuar 3.090 viktima, prej të cilëve 2.885 janë protestues. Banorë në disa qytete thanë se goditja e forcave të sigurisë ka zbehur ndjeshëm protestat për momentin, ndërsa mediat shtetërore raportojnë arrestime të reja dhe rrugë të qeta, përfshirë edhe qytete në veri pranë Detit Kaspik.

Sipas dëshmive për Reuters, kryeqyteti Teheran ka qenë relativisht i qetë për katër ditë radhazi. Banorët thanë se mbi qytet po fluturonin dronë, por nuk u shënuan protesta të mëdha të enjten dhe të premten. Një banor i një qyteti verior pranë Kaspikut konfirmoi gjithashtu se situata dukej e qetë.

Protestat shpërthyen më 28 dhjetor për shkak të vështirësive ekonomike dhe u shndërruan shpejt në demonstrata të gjera në mbarë vendin.

Sa i përket internetit, grupi i monitorimit NetBlocks njoftoi në platformën X se pas rreth 200 orësh ndërprerjeje është vërejtur një rritje shumë e lehtë e lidhjes në Iran. Megjithatë, niveli i aksesit mbetet rreth 2% e normales, çka tregon se kufizimet janë ende të forta. Disa iranianë që jetojnë jashtë vendit raportuan në rrjete sociale se kanë mundur të komunikojnë me persona brenda Iranit herët të shtunën.

Ndërkohë, presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili më herët kishte paralajmëruar “masa shumë të forta” nëse Irani do të ekzekutonte protestues, deklaroi se udhëheqja iraniane kishte anuluar varje masive të planifikuara. “E respektoj shumë faktin që të gjitha varje të planifikuara (mbi 800) janë anuluar,” shkroi ai në rrjetet sociale.

Autoritetet iraniane, megjithatë, nuk kanë njoftuar zyrtarisht për plane të tilla ekzekutimesh dhe as për anulimin e tyre. /mesazhi