Biznesmeni dhe peshkatari

Na ishte dikur një biznesmen i cili rrinte ulur pranë plazhit në një fshat të vogël brazilian. Derisa ishte ulur, ai pa një peshkatar brazilian që lundronte në një varkë të vogël drejt bregut me disa peshq të mëdhenj që kishte kapur.
Biznesmenit i bëri përshtypje dhe e pyeti peshkatarin: “Sa kohë ju duhet për të kapur kaq peshq?”
Peshkatari u përgjigj: “Oh, vetëm pak kohë.”
“Atëherë pse nuk qëndroni më gjatë në det dhe nuk kapni edhe më shumë?” tha biznesmeni i habitur.
“Kjo është e mjaftueshme për të ushqyer familjen time”, tha peshkatari.
Biznesmeni pastaj pyeti: “Atëherë, çfarë bëni pjesën tjetër të ditës?”
Peshkatari u përgjigj: “Epo, zakonisht zgjohem herët në mëngjes, dal në det dhe kap peshq, pastaj kthehem dhe luaj me fëmijët e mi. Pasdite, bëj një sy gjumë dhe rri me gruan time, kur vjen mbrëmja takohem me miqtë e mi në fshat – luajmë kitarë dhe këndojmë.”
Biznesmeni i ofroi një propozim peshkatarit. “Unë jam profesionalist në menaxhimin e biznesit. Unë mund t’ju ndihmoj të bëheni një person më i suksesshëm. Tani e tutje, ju mund të kaloni më shumë kohë në det dhe të përpiqeni të kapni sa më shumë peshk. Kur të keni kursyer mjaft para, mund të blini një varkë më të madhe dhe të kapni edhe më shumë peshk. Së shpejti do të keni mundësi të blini më shumë anije, të krijoni kompaninë tuaj, fabrikën tuaj të prodhimit peshkut të konservuar, dhe t’i eksportosh produktet tua. Pastaj ju do të largoheni nga ky fshat dhe të shkoni në kryeqytet, ku mund të krijoni selinë për t’i menaxhuar degët tuaja të tjera.”
“E çka pas kësaj?” Pyeti peshkatari.
Biznesmeni qesh me gjithë zemër. “Pas kësaj, ju mund të jetoni si një mbret në shtëpinë tuaj, dhe kur të jetë koha e duhur, ju mund t’i shisni aksionet tuaja dhe do të bëheni të pasur.”
Peshkatari pyet: “E pas kësaj?”
Biznesmeni i thotë: “Pas kësaj, ju mund të pensionoheni, të ktheheni në fshat tuaj në një shtëpi pranë detit, të zgjoheni herët në mëngjes, të kapni peshq, pastaj të ktheheni në shtëpi për të pushuar dhe për të kaluar kohën me familje, e kur të vijë mbrëmja, mund të bashkoheni me miqtë tuaj, të luani kitarë, të këndoni gjatë gjithë natës!”
Peshkatari i habitur i thotë: “A nuk është kjo ajo që po bëj tani?”