Bllokohen rrugë e fshatra nga bora në Shqipëri

Reshjet e dëborës kanë vijuar gjatë natës dhe mëngjesit, duke zbritur deri në zonat e ulta.

5-10 cm dëborë ka rënë në Lezhë, por superstrada Lezhë-Fushë-Krujë, që dje ishte me probleme, sot kalohet lirisht nga automjetet.

E rënduar është situata në Bulqizë, ku reshjet e dendura të dëborës kanë bërë që rruga Bulqizë-Peshkopi dhe Bulqizë-Burrel të kalohen me shumë vështirësi me zinxhirë. Të bllokuara janë rrugët Bulqizë-Krastë, Qafë e Buallit-Zona D si dhe Ura e Çerenecit-Stëblevë.Të izoluar janë dhe njësitë administrative Trebisht, Ostren, Martanesh dhe shumë fshatra të njësive Fushë-Bulqizë, Zerqan dhe Shupenzë. Trashësia e dëborës në qytet është 30 cm, ndërsa në njësitë adminstrative varjon nga 50 deri në 80 cm, shkruan Top Channel.

Ka vijuar dhe sot bllokimi i punës në minierat e Zonës D dhe të Martaneshit.

Ka edhe ndërprerje të mësimit.I bllokuar është ndërkohë aksi Librazhd-Stëblevë. Rruga Elbasan-Gjinar kalohet vetëm me zinxhirë. Mësimi nuk zhvillohet në Labinot-Mal dhe fshatrat e tij dhe në Gracen.