Bora bllokon Kosovën

Zona të thella të Kosovës janë bllokuar plotësisht nga reshjet e mëdha të borës, ndërkaq nëpër komuna të mëdha qarkullimi nëpër rrugë është vështirësuar dukshëm. Gjendje më e rëndë aktualisht është në komunën e Ferizajt, por edhe në atë të Istogut, shkruan sot, gazeta Zeri.

Reshjet e mëdha të borës kanë bllokuar plotësisht zonat më të thella të vendit, ndërkaq në gjithë Kosovën qarkullimi është vështirësuar dukshëm. Në gjendje emergjente ndodhen fshatrat, e sidomos ato që shtrihen në zonat e thella malore, ku qarkullimi është ndërprerë që nga mbrëmja e së enjtes. Ndërsa, rruga Pejë-Kullë është mbyllur për të gjitha automjetet.

Kosovarët janë përballur dhe me aksidente të shumta, jo vetëm në rrugët kryesore, por dhe ato në qendër të qyteteve. Sipas Policisë së Kosovës aksidentet me lëndime janë rritur nga 15 në 27 aksidente dhe ato me dëme materiale nga 45 në 100 aksidente. Qyteti që po përballet me gjendje emergjente është Ferizaj.

Në këtë qytet janë krijuar dhe ortekë të vazhdueshëm, që kanë vështirësuar qarkullimin në gjithë Komunën, duke i bërë shumicën e rrugëve vështirë të kalueshme.