Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Bota përshëndet zgjedhjet në Bangladesh si “fitore e demokracisë”, urime për fitoren...

Bota përshëndet zgjedhjet në Bangladesh si “fitore e demokracisë”, urime për fitoren e BNP-së

Reagime të shumta ndërkombëtare kanë pasuar zgjedhjet e përgjithshme në Bangladesh, të cilat u vlerësuan si një fitore e demokracisë. Komisioni Zgjedhor njoftoi se Bangladesh Nationalist Party (BNP) fitoi 209 vende, ndërsa blloku i udhëhequr nga Jamaat-e-Islami siguroi 77 vende në parlamentin me 300 vende.

Zgjedhjet u mbajtën të enjten dhe ishin të parat që nga kryengritja popullore e vitit 2024, e cila rrëzoi qeverinë e ish-kryeministres Sheikh Hasina. Udhëheqësi i BNP-së, Tarique Rahman, mori urime nga disa vende të rajonit dhe më gjerë.

Turqia përshëndeti zhvillimin paqësor të zgjedhjeve dhe shprehu shpresën se rezultatet do të forcojnë demokracinë, stabilitetin dhe prosperitetin. Ankaraja riafirmoi angazhimin për të thelluar bashkëpunimin dypalësh.

Kina vlerësoi procesin zgjedhor si të qetë dhe të rregullt. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Lin Jian, tha se Pekini mbështet avancimin e agjendës politike të Dhakës dhe forcimin e partneritetit strategjik.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, uroi Rahman për fitoren bindëse dhe shprehu gatishmërinë për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, deklaroi se Nju Delhi do të vazhdojë të mbështesë një Bangladesh demokratik dhe gjithëpërfshirës, duke shtuar se ka zhvilluar edhe një bisedë telefonike me Rahman. Megjithatë, India nuk dërgoi vëzhgues zgjedhorë, ndonëse procesi u monitorua nga vëzhgues dhe gazetarë ndërkombëtarë. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar që nga largimi i Hasinës drejt Indisë në vitin 2024.

Presidenti i Maldives, Mohamed Muizzu, shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin dhe miqësinë mes dy vendeve.

Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, e quajti fitoren e BNP-së “një triumf të demokracisë” dhe uroi Rahman për rezultatin.

Shtetet e Bashkuara uruan BNP-në dhe Rahmanin për fitoren historike, duke theksuar se presin të bashkëpunojnë me udhëheqjen e re për qëllime të përbashkëta të prosperitetit dhe sigurisë. /mesazhi