Është rritur në 136 numri i personave që kanë humbur jetën nga katastrofa e përmbytjeve në rajonin e Rio de Janeiros së Brazilit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas mediave braziliane, është rritur në 136 numri i viktimave dhe në 213 numri i personave të zhdukur për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut në zonën malore Petropolis të Rio de Janeiros.
Zyrtarët bënë të ditur se 967 persona janë vendosur nëpër strehimore dhe janë regjistruar 213 persona të zhdukur por se nuk dihet se sa prej tyre janë gjetur.
Leandro Monteiro, sekretari i mbrojtjes civile në rajonin e Rio de Janeiros deklaroi se kushtet e ndryshueshme të motit në rajon e bëjnë të pamundur të përdoren makineritë e rënda në zonat ku ka rrëshqitje të dheut.
Për fundjavën janë bërë parashikime për mot me shi në rajon dhe është bërë thirrje që personat që jetojnë në zonat e rrezikuara të evakuohen në strehimore.
Në pamjet e pasqyruara në median sociale, pas shirave intensivë më 15 shkurt në zonën malore të Petropolis të Rio de Janeiros u regjistruan rrëshqitje dheu në zonat e larta të qytetit, ku rrugët, parqet dhe marketet u përmbytën ndërsa automjetet dhe autobusët mbetën nën ujë.
Guvernatori i rajonit, Claudio Castro ka thënë se rajoni është përballur me reshjet më intensive që nga viti 1932.
Ishte njoftuar se në Petropolis pas një numri të madh të përmbytjeve janë shkatërruar dhjetëra shtëpi dhe se në një periudhë prej 6 orësh kanë rënë aq reshje sa priteshin përgjatë gjithë muajit shkurt.
Përmbytjet që ndodhën në vitin 2011 në qytet dhe të cilat u shndërruan në tragjedi shkaktuan mbi 900 viktima dhe më shumë se 100 të zhdukur. /aa








