Britani, hetime për krime lufte ndaj bashkëshortes së Assadit

Policia në Britani ka filluar hetime ndaj Asma al-Assad, bashkëshortes së liderit të regjimit në Siri, Bashar al-Assad me pretendimin se ka provokuar dhe inkurajuar akte të terrorizmit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën nga Dhomat Ndërkombëtare të Drejtësisë (Guernica 37) me qendër në kryeqytetin e Britanisë, Londër, thuhet se në luftën e brendshme që vazhdon prej 10 vitesh në Siri, regjimi ka vrarë, ka arrestuar arbitrarisht dhe ka torturuar qindra mijëra civilë.

“Krimet e luftës të kryera kundër civilëve janë inkurajuar nga emra me ndikim”, thuhet në deklaratën në të cilën bëhet e ditur se në mesin e këtyre personave është edhe Asma al-Assad, bashkëshortja e Assadit.

Asma al-Assad ka provokuar ose inkurajuar aktet e terrorizmit duke dhënë mbështetje publike ndaj ushtrisë së regjimit, thuhet më tej në deklaratën ku theksohet se “Guernica 37” ka hetuar këtë çështje prej kohësh dhe se Departamentit për krimet e luftës së policisë i ka paraqitur dy dosje të fshehta.

Në korrik 2020 policisë iu dërgua një dosje

Në deklaratë bëhet e ditur se asnjë detaj nuk mund të jepet pasi dosja po shqyrtohet nga autoritetet përkatëse.

Pasi tërhiqet vëmendja që Asma al-Assad është shtetase britanike ndër të tjera thuhet se “Nëse provat mbështesin pretendimin ato janë të rëndësishme për heqjen jo vetëm të shtetësisë por në të njëjtën kohë edhe për gjykimin e saj”.

Ndërsa në një deklaratë nga policia në gazetën Times, theksohet se më 31 korrik 2020 në Departamentin për krimet e luftës të policisë së Londrës i është dërguar një dosje lidhur me konfliktet që vazhdojnë në Siri dhe se vlerësimi i kësaj është në vazhdim.

Ndaj Asma al-Assad njoftohet se ka filluar një hetim paraprak me pretendimin se ka provokuar dhe inkurajuar akte të terrorizmit.

Asma al-Assad, 45-vjeç e cila ka studiuar në King’s College në Londër, u transferua në Siri pasi u martua me Bashar al-Assad në vitin 2000.