Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Britania e Madhe bën thirrje për rihapjen e menjëhershme të pikës kufitare...

Britania e Madhe bën thirrje për rihapjen e menjëhershme të pikës kufitare Rafah

Ministri britanik për Lindjen e Mesme bëri thirrje të premten për rihapjen urgjente të pikës kufitare Rafah, duke thënë se ky veprim është thelbësor për të rritur fluksin e ndihmës humanitare në Gaza, transmeton Anadolu.

“Kalimi kufitar i Rafah-ut duhet të rihapet urgjentisht”, shkroi Hamis Falconer në platformën e kompanisë amerikane të mediave sociale X.

Falconer tha se rihapja e pikës kufitare do të ndihmonte në rritjen e shpërndarjes së ndihmës në Gaza dhe do t’u lejonte njerëzve që kanë nevojë për trajtim urgjent mjekësor të kenë akses në kujdes.

Të enjten, Sekretarja e Jashtme, Yvette Cooper tha në mediat sociale se “mirëpret fuqimisht” lajmin se pika kufitare e Rafah-ut mund të hapet në ditët në vijim.

“Ne duam ta shohim këtë të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që më shumë ndihmë të arrijë në Gaza dhe ata që kanë nevojë për trajtim urgjent mjekësor të kenë akses në kujdesin jetësor”, shtoi ajo.

Thirrja e ripërtërirë erdhi pasi Ali Shaath, kreu i komitetit të tranzicionit të sapoformuar të Gazës, i mbështetur nga Washingtoni, njoftoi të enjten se pika kufitare e Rafah-ut midis Gazës dhe Egjiptit do të rihapet javën e ardhshme për udhëtime dypalëshe.

Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në tetor të vitit të kaluar, forcat izraelite kanë vrarë 477 palestinezë dhe kanë plagosur 1.301 të tjerë në shkelje të dyshuara të marrëveshjes.

Armëpushimi i dha fund një lufte që filloi në tetor 2023 dhe zgjati rreth dy vjet, duke vrarë më shumë se 71.000 palestinezë dhe duke plagosur mbi 171.000 të tjerë.

Lufta shkaktoi shkatërrime të gjera, me rreth 90 për qind të infrastrukturës civile të Gazës të dëmtuar ose të shkatërruar, dhe kostot e rindërtimit të vlerësuara nga OKB-ja në afërsisht 70 miliardë dollarë.