Britania e Madhe do të duhet të rinegociojë kushtet e anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian (BE) në vend që të largohet nga Unioni, thotë aktivistja e shquar që promovon idenë e mbetjes.
Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), Gina Miller thotë se Britania e Madhe duhet të braktisë marrëveshjen Brexit të kryeministres May e cila tashmë është mposhtur dhe të mbetet një anëtare e BE-së.
Komentet e Millerit u bënë në të njëjtën ditë kur May mori mbështetjen e shumicës së deputetëve të cilët miratuan amendamentin i cili i jep mandatin qeverisë për të hequr nga marrëveshja klauzolën “backstop-i irlandez” dhe të rinegociojë një marrëveshje alternative me BE-në, për të shmangur kufirin fizik në ishullin e Irlandës.
Miller, e njohur për fitoren e saj kundër qeverisë pas referendumit të vitit 2016, thotë se Parlamenti gëzon sovranitet të plotë mbi qeverinë, për çka dhe fitoi lëndën në gjykatë.
Në procesin gjyqësor kundër qeverisë, Miller argumentoi se neni 50, i cili përcakton kushtet për largimin nga BE-ja, nuk mund të aktivizohet nga qeveria pa u miratuar nga Parlamenti i cili gëzon sovranitet, me çka dhe fitoi në gjyq. Si rezultat i kësaj, deputetët në Dhomën e Ulët fituan një zë të fuqishëm gjatë votimit të tyre për legjislacionin e Brexit-it.
Në intervistën e bërë pak orë para votimit të fundit në Dhomën e Ulët, ajo tha se disa nga amendamentet i tregojnë kryeministres May që të rinegociojë, duke vënë theksin tek amendamenti i propozuar nga deputeti konservator Graham Brady i cili i dha mandatin kryeministres të tërheqë marrëveshjen backstop.
“Përse të mos rinegociojmë marrëveshjen të cilën e kemi. Përse të mos ngelim dhe të kërkojmë rinegociim në vend që të largohemi. Ky është propozimi im për të cilin po luftoj aktualisht”, tha Miller.
Ajo thotë se nëse Britania e Madhe mbetet në Union atëherë një marrëveshje e re e cila do të ishte arritur do të trajtonte çështjet e emigracionit, sovranitetit dhe më shumë transparencë në lidhje me financat e BE-së.
“Nëse këto çështje adresohen, ne do të kishim mbetur me kushte shumë më të ndryshme”, tha Miller për të shtuar se BE-ja është e shqetësuar nga ajo që po ndodh në vendet tjera anembanë BE-së, për çka është e gatshme të dëgjojë.
– Udhëheqje jo largim
Duke shpjeguar një nismë që ka ndërmarë bashkë me Maurice Saatchi dhe baroneshën Helena Kennedy, Miller tha se një nga shqetësimet më të mëdha që ka janë ndasitë me të cilat po përballet vendi.
“Lead Not Leave” (Udhëheqje jo largim) është një nismë e cila i bën thirje Britanisë së Madhe të marrë një rol udhëheqës duke ofruar reforma të gjera brenda BE-së”.
“Pas referendumit të vitit 2016, Mbretëria e Bashkuar po përballet me krizën më të madhe kushtetuese dhe politike që nga Lufta e Dytë Botërore”, thanë më herët gjatë javës Saatchi, Miller dhe Kennedy, duke bërë thirrje për të menduar inovativ.
– Kërcënimet me vdekje
Miller foli edhe për kërcënimet e ndryshme me vdekje të cilat i ka marrë, pasi shumë përkrahës të Brexit-it e fajësonin se ka krijuar kaos duke e fituar procesin gjyqësor kundër qeverisë për Brexit-in.
“Kam një jetë shumë të ndryshme nga dy vjet e gjysmë më parë”, tha ajo, për të shtuar se tani, është në përkujdesin e ekipeve kundër terrorizmit.
Mediat lokale ditë më parë raportuan se një anëtar i partisë populiste dhe ksenofobike “UK Independence Party” UKIP, të ketë thënë se “Millerit duhet t’i hiqet koka dhe t’i varet para pallatit Buckingham”.
“Do të luftoj për Britaninë që dua”, ka përfunduar Miller.







