I Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Kush privohet prej butësisë, privohet prej mirësisë në tërësi”.
Butësi do të thotë të sillesh butë përmes të folurit dhe të vepruarit, të tregohesh i butë në përzgjedhjen e metodës, fjalëve, mënyrës së të vepruarit me të tjerët, lënies së sharjes, ashpërsisë dhe vrazhdësisë si dhe gjatë marrjes në konsideratë të tolerancës dhe lehtësimit. Butësia në përgjithësi hyn në çdo gjë, në raportet që njeriu ka me veten e tij, familjarët e tij, të afërmit e tij, shokët e tij dhe me këdo që është bashkëpjesëmarrës me të në dobi apo fqinjësi, madje edhe me armiqtë dhe kundërshtarët e tij. Ky moral përfshin çdo situatë dhe çështje që përkojnë me të.
Përdorimi i butësisë në kryerjen e çështjeve shpie në rezultatet dhe të arriturat më të mira, pasi Al lahu i Madhëruar e begaton këtë sjellje dhe bën dobi me të. Ndër sa përdorimi i dhunës, ashpërsisë dhe vrazhdësisë, i prish gjërat, ua vështirëson ato realizuesve të tyre dhe jep rezultate të kundër ta. Mirësia privohet kur lihet pas dore butësia, bereqeti largohet dhe çështja komplikohet. I Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Kush privohet prej butësisë, privohet prej mirësisë në tërësi”. Gjithash tu ai a.s. ka thënë: “Allahu është i Butë, e dëshiron butësinë, jep për butësinë atë që nuk e jep për dhunën dhe atë që nuk e jep për diç tjetër veç saj (butësisë).”
Po kështu butësia ka një ndikim të mirë në lidhjen midis zemrave, pajtimin midis palëve të grindura, në udhëzimin dhe afrimin e jobesimtarëve në Islam si dhe në begatinë në furnizim dhe jetë, në lidhje me të cilën Profeti a.s. ka thënë: “Atij që i është dhënë hisja e tij e butësisë, i është dhënë në fakt hisja e tij nga mirësia e dynjasë dhe amshimit. Lidhja me gjakun, morali i hijshëm dhe fqinjësia e hijshme i gjallojnë shtëpitë dhe u japin shumë të mira jetëve.”
Burrëria dhe personaliteti nuk qëndrojnë në lënien pas të butësisë dhe në përdorimin e dhunës dhe ashpërsisë, në të gjitha situatat.
Gabon ai që mendon se përdorimi i butësisë ia pakëson vlerën njeriut apo se një gjë e tillë është shenjë e dobësisë së njeriut dhe e molisjes së tij në kërkim të të drejtave që i takojnë. Ky kuptim është i gabuar dhe është trashëguar nga injoranca; pasi lënia e butësisë nuk kërkon të braktiset kërkimi i së drejtës apo të heshtet karshi së kotës, t’i bëhen lajkatime asaj apo të bëhen lëshime karshi të drejtave; porse ajo që presupozohet është përdorimi i butësisë vetëm në metodë dhe mënyrë, jo në kontekst dhe përmbajtje. Njeriu i butë e kërkon të drejtën e tij, e sqaron normën legjislative, urdhëron në të mirë, e disiplinon atë që ka nën vartësinë e tij dhe ndërvepron me njerëzit, por këtë gjë e vepron duke u sjellë butësisht. Në këtë kontekst Allahu i Lartësuar ka thënë: “Shkoni (ti Musa dhe ti Harun) te Faraoni! Ai, me të vërtetë, i ka shkelur të gjithë kufijtë! Flitini atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet a frikësohet!” (Kaptina Taha, 43-44).
Sufjan Eth-Theuriu ka thënë: “Nuk urdhëron në të mirë dhe ndalon nga e keqja përveçse ai që ka tri tipare: Butësi në atë gjë në të cilën urdhëron dhe të jetë i butë në atë gjë nga e cila ndalon; të qenët i drejtë në atë që urdhëron dhe i drejtë në atë që ndalon; i mirëdijshëm mbi atë që urdhëron dhe i ditur në lidhje me atë që ndalon.”
I Dërguari i Allahut a.s. jetonte me butësinë dhe e mishëronte atë në tërë gjendjet dhe çështjet e jetës së tij, gjë në lidhje me të cilën Aish ja r.a. ka thënë: “I Dërguari i Alla hut a.s. nuk është vënë kurrë që të zgjedhë midis dy gjërave, përveçse ka zgjedhur më të lehtën prej tyre përderisa nuk ka qenë mëkat, ndër sa nëse (më e lehta e tyre) ka qenë mëkat, ai ka qenë njeriu më i distancuar prej saj (prej asaj gjëje, me të cilën do të bëhej mëkat).”
Me çfarë butësie sillej Muhamedit a.s në raport me njerëzit
S’ka dyshim se jeta e Muhamedit a.s është frymëzim për ne se si duhet vepruar. Butësia është theksuar të ketë qenë sjellja e Muhamedit a.s. në raport me njerëzit, do të përmendim disa raste:
1. Butësinë me familjarët: Aishja r.a. ka thënë: “I Dërguari i Alla hut nuk ka qëlluar kurrë diçka me dorën e tij, as grua dhe as shërbyes, përveçse kur ka luftuar në Rrugë të Allahut. Atij nuk i është marrë kurrë gjë dhe që të jetë hakmarrë ndaj atij që e ka bërë këtë, përveçse nëse është cenuar diçka nga ndalesat (haramet) e Allahut të Lartësuar” . Nëse bashkëshortja e tij Aishja i shprehte atij një dëshirë, ai a.s. i shkonte pas asaj përderisa dëshira e saj nuk ishte mëkat.”
2. Butësinë me shërbyesit: nga Enesi ibën Maliku r.a., transmetohet se ka thënë: “I kam shërbyer të Dërguarit të Allahut njëzetë vjet dhe për Allahun nuk më ka thënë kurrë “uf” dhe nuk më ka thënë kurrë për diçka: Përse e veprove kështu e përse nuk e bëre ashtu?”
3. Butësinë me fëmijët: nga Aishja r.a. vjen se ka thënë: “Të Dërguarit të Allahut i silleshin fëmijë dhe ai kërkonte begati për ta, mbllaçiste diçka të cilën e fus te në gojën e tyre dhe lutej për ta”. Ndërsa Enesi r.a. ka thënë: “I Dërguari i Allahut i vizitonte ensarët (medinasit), u jepte selam (u thoshte: “Es-Selamu alejkum”) fëmijëve të tyre dhe ua lëmonte atyre kokat”. Profeti a.s. i puthte gjithmonë Hasanin dhe Husejnin dhe lozte me ta.
4. Butësinë me lypësit: Enesi r.a. thotë: “Isha duke ecur me të Dërguarin e Allahut a.s., i cili mban te mbi të një rrobë (prodhim) të Nexhranit (të Jemenit) që ishte me copë të trashë në anët e saj. Një nomad e arriti, e kapi dhe e tërhoqi fort prej rrobës së tij. Unë e pashë supin e Profetit sesi ana e rrobës kishte lënë shenjë në të, për shkak të tërheqjes së fuqishme. Pas kësaj ai (nomadi) tha: O Muhamed, urdhëro të më jepet nga malli i Allahut që gjendet tek ti. Profeti u kthye nga ai, qeshi dhe pastaj urdhëroi që atij t’i jepej donacion.”
5. Butësinë në të mësuarin e të paditurit: Nga Muavie ibën el Hakem es Sulemiu transmeto het se ai ka thënë: “Teksa unë po falesha me të Dërguarin e Allahut, një burrë teshtiu dhe unë i thashë: Allahu të mëshiroftë! Njerëzit më shigjetuan me vështrimet e tyre dhe unë u thashë: Si është çështja juaj që po më vështroni? Ata filluan të qëllonin me duart e tyre mbi kofshët e tyre. Kur pashë se donin të më bënin të heshtja, heshta. Pasi Profeti u fal, nuk kam parë as para dhe as pas tij mësues që të mësojë më mirë se ai – ai nuk u soll ashpër me mua, as më goditi dhe as më shau, por më tha: “Ky, namazi, në të nuk bën të ketë fjalë prej fjalëve të njerëzve, porse ai konsiston në tesbih (thënien SubhanAllah-i Lavdishëm është Allahu), tekbir (thënien Allahu Ekber-Allahu është më i madhi) dhenë lexim të Kuranit”.
6. Butësinë në urdhërimin në të mirë dhe ndalimin nga e keqja: nga Ebu Hurejra r.a. vjen se ka thënë: “Një nomad urinoi në xhami dhe njerëzit i shkuan që të vinin dorë mbi të. Sakaq Profeti tha: “Lëreni dhe derdhni mbi urinën e tij një kusi uji ose një kovë të madhe uji; jeni dërguar lehtësues e nuk jeni dërguar vështirësues.”
7. Butësinë me mëkatarin e penduar: nga Ebu Hurejra r.a. vjen se ka thënë: “Teksa ne gjendeshim ulur tek Profeti, një burrë erdhi dhe tha: O i Dërguar i Allahut, u shkatërrova. Tha: “Çfarë ke?” I tha: “Rashë me gruan pata kontakt seksual me të duke qenë agjërueshëm (në Ramazan). Ai a.s. tha: “A ke ndonjë rob që ta lirosh?” I tha: Jo. Tha: “A mund të agjërosh njëri pas tjetrit dy muaj? I tha: Jo. Ai a.s. i tha: “A gjen ushqim për të ushqyer gjashtëdhjetë të varfër?” I tha: Jo. Profeti a.s. qëndroi (pa folur). Ai (transmetuesi) tha: Tek sa ne gjendeshim në këtë situatë, Profetit i sollën një kuti të madhe në të cilën kishte hurma dhe ai a.s. tha: Ku është ai që pyeti? (Pyetësi) I tha: Jam unë. Ai a.s. tha: “Merre dhe bëj sadaka (lëmoshë) me të.”
Po kështu me personin që puthi një femër (të huaj për të) dhe erdhi i penduar, Profeti a.s. u soll butë, duke i sqaruar se shlyerje për mëka tin e tij është namazi dhe duke mos u sjellë ashpër me të. Kjo histori vjen e transmetuar saktësisht.
8. Butësinë duke duruar përkundrejt lëndimit: Aishja r.a. i ka thënë Profetit a.s.: A të ka rënduar ndonjë ditë më rëndë se ajo e (Betejës së) Uhudit? Ai a.s. tha: “Kam gjetur prej popullit tënd (prej idhujtarëve) atë që më bënë. Gjëja më e rëndë që gjeta prej tyre është ajo e ditës së Akabesë, kur ia paraqita veten Ali ibën Abdu Jelil ibën Abdu Kulalit, i cili nuk m’u përgjigj për çfarë desha. Kështu që ika me një shqetësim që shquhej qartë në fytyrën time dhe nuk kam ardhur në vete përveçse në (vendin e quajtur) Karneth Thealib, ku ngrita kokën dhe pashë një re që më bënte hije. Hodha shikimin, kur ja, Xhibrili ishte në të. Ai më tha: Allahu e dëgjoi fjalën që të tha populli yt dhe se si t’u përgjigjën, ndaj Allahu të dërgoi engjëllin e maleve që ta urdhërosh të bëjë me ta si të duash. Engjëlli i maleve më thirri dhe më dha selam. Pas kësaj (engjëlli i maleve) më tha: O Muhamed, – më tha – është ajo (që t’u bë me dije) e ti vepro si të duash, nëse do ti, unë i pllakos mbi ta dy malet e gurtë (të Mekës).Profeti a.s. tha: “Porse unë shpresoj që Allahu të nxjerrë prej pasardhësve të tyre që do ta adhurojnë Allahun Një të Vetëm duke mos i shoqëruar Atij asgjë.”
9. Butësinë në ndërveprimin me jobesimtarët: nga Aishja r.a. vjen se ajo ka thënë: “Një grup i hebrenjve hynë tek i Dërguari i Allahut dhe i thanë: Semi (vdekja) qoftë mbi ty (në vend që t’i thoshin Selami). Unë e kuptova atë (që thanë) dhe u thashë: Semi (vdekja) dhe mallkimi qoftë mbi ju. I Dërguari i Allahut tha: “Avash o Aishe; Allahu dëshiron butësinë në tërë çështjen”. I thashë: O i Dërguar i Allahut, a nuk e dëgjove atë që thanë? I Dërguari i Allahut tha: “Unë (kur e thanë këtë) thashë: Mbi ju qoftë (ajo që meritoni dhe që dëshironi për ne)”. Profeti a.s. fliste me jobesimtarët, debatonte me ta, e pranonte dhuratën e tyre, i bënte vizitë të sëmurit prej tyre, u ofronte mbrojtje atyre dhe sillej mirë me ta nëse interesi i Islamit e kërkonte të tillë gjë.
10. Butësinë me njerëzit në çështjen e adhurimeve: Xhabir ibën Ab dullahu r.a. ka thënë: Një burrë erdhi me dy devetë ujitëse dhe nata ra. E gjeti Muadhin të falej (imam), e la devenë ujitëse dhe u fut të falej me Muadhin, i cili lexoi në namaz suret Bekare dhe Nisa. Burri nuk e plotësoi namazin me të dhe iku. I arriti fjala se Muadhi kishte folur për të, ndaj ai shkoi te Profeti dhe iu ankua për Muadhin. Profeti a.s. tha: “O Muadh, a provokator (ose provokues) je ti, – ia tha këtë tri herë -. Sikur të ishe falur me (suren) “Sebih Isme Rabike” dhe “Uesh Shemsi ue Duhaha”, “Uel Lejli idha Jegsha”; sepse pas teje falet i moshuari, i dobëti dhe nevojtari.”
Nga Enesi r.a. vjen se Profeti a.s. ka thënë: “Unë hyj në namaz dhe dua që ta zgjas atë, por dëg joj të qara fëmije dhe e reduktoj (namazin brenda normave) ni sur nga shtrëngesa që gjen nëna e tij në këtë.”
Për fund
Kjo është rruga jonë dhe ky është misioni ynë. Le të jenë këto parime dhe këta shembuj një mo tiv dhe shtytje drejt pastrimit dhe zhveshjes së moralit nga injoranca dhe gjurmët e saj. Le të bindemi tash ose kurrë se të jesh i fortë d.t.th. të falësh, të edukohesh, të jesh krenar me të vërtetën dhe të mos kthesh kokën kah injorantët. Nëse vrazhdësia na i sulmon zem rat, atëherë ta lajmë atë me ujin e traditës profetike. Ta kujto jmë profetin tonë të dashur dhe butësinë e mirësjelljen e tij, ngase kjo na mjafton!
O Zoti ynë! Na zbukuro zemrat tona me besim dhe moral, na vdis si besimtarë dhe na bashko me ve përmirët!
Referencat
1.Sufijjurrahman El-Mubarekfuri “Nektari i Vulo sur i Xhennetit” f.q.472, Prishtinë, 2001.
2. Dr.Mustafa El-Buga “Komentimi i Dyzet Had itheve të Imam Neveviut”, f.q. 111, Shkup 2003.
3.Amër Halid “Gjurmëve të të Dashurit tonë” f.q. 246, Shkup, 2006.
4. Dr. Jusuf Kardavi “Gruaja në Islam”, fq.77, Prishtinë, 2002.
5. Dr. Abdurrahman Rafet El-Basha, “Fragmente nga Jeta e Sahabeve”, fq. 51-57, Prishtinë 2002.
6. Muhammed Gazali, “Karakteri i Muslimanit”, fq.145, Prishtinë, 2001.
7. Grup autorësh, “Pesë shtyllat e fesë islame”, fq.526, Shkup 1998.
8. Sufijjurrahman El-Mubarekfuri “Nektari i Vulo sur i Xhennetit” f.q.147, Prishtinë, 2001.
9. Amër Halid “Gjurmëve të të Dashurit tonë” f.q. 246, Shkup, 2006.
Ma.Sc. Burim Bibaj
/islamgjakova







