Koha që politika të shkundet, të kuptojë e veprojë atë s’e ka
Nga Vehap Kola
Pas 24 orësh, Kosova ka prodhuar kryesisht deklarata, indinjatë dhe akuza, por pothuajse asnjë akt me ndikim të pritshëm politik ose institucional. Shumë zëra pa drejtim dhe shumë lëvizje kaotike pa asnjë strategji.
Emocioni është njerëzor dhe zemërimi i kuptueshëm, por shtetet dhe interesat kombëtare nuk mbrohen me konferenca shtypi. Një krizë kërkon të përcaktohen objektivat, instrumentet, kostot dhe pasojat e pritshme. Përndryshe, pas disa ditësh të gjithë do të thonë: reaguam, folëm, bëmë çfarë mundëm. Por çfarë u bë realisht?
Nga Shqipëria, pritshmëritë janë edhe më të ulëta. Problemi nuk është vetëm qeveria e radhës, por mungesa e një marrëdhënieje të qëndrueshme me interesin kombëtar. Për një pjesë të madhe të historisë moderne, shteti shqiptar ka funksionuar më mirë si aparat administrimi dhe kontrolli për interesa kolonizatore sesa si instrument strategjik i shqiptarëve. Prandaj pyetja nuk është vetëm çfarë deklaron Tirana, por nëse ajo ka një doktrinë të interesit kombëtar, një hierarki prioritetesh dhe një strategji për çështjet që prekin shqiptarët jashtë kufijve të saj.
Sjellja politike deri tani jep një përgjigje dëshpëruese.
Në vend që zemërimi publik të shndërrohet në debat të ftohtë mbi instrumentet juridike, institucionale dhe diplomatike, ai zëvendësohet me formula që tingëllojnë të përgjegjshme, por shpesh nuk prodhojnë asgjë. Kështu ndodh edhe me thirrjet për të mos u ngutuar me ndryshime ligjore ose kushtetuese lidhur me Gjykatën Speciale.
Kjo çështje duhet analizuar, jo demonizuar paraprakisht. Ndryshimi i një ligji ose i Kushtetutës është procedurë institucionale; mund të jetë i drejtë ose i gabuar, i mundshëm ose i pamundur, me kosto ndërkombëtare të rënda ose të menaxhueshme. Pikërisht këto duhet të shqyrtohen. Të barazosh çdo urgjencë politike me papërgjegjshmërinë do të thotë të shmangësh pyetjen kryesore:
Cilat janë realisht opsionet e Republikës së Kosovës?
Çfarë mund të ndryshojë Kuvendi dhe çfarë jo? Cilat instrumente juridike ekzistojnë? Cilat janë kostot ndërkombëtare? Çfarë hapësire diplomatike dhe çfarë aleancash mund të ndërtohen? Cilat janë vijat e kuqe që Kosova duhet t’ua komunikojë partnerëve?
Kjo quhet strategji. Ajo që kemi parë deri tani i ngjan kalit në lëmë: shumë lëvizje, por asnjë dalje nga rrethi.
Edhe shpresa se gjithçka do të korrigjohet në apel nuk mund ta zëvendësojë veprimin politik. Të dënuarit kanë të drejtën e apelimit dhe kjo rrugë duhet ndjekur deri në fund. Por apeli është instrument juridik i mbrojtjes së tyre; nuk mund të zëvendësojë debatin mbi pasojat politike të vendimit për Kosovën, interpretimin ndërkombëtar të luftës së saj dhe marrëdhënien e shtetit me institucionin që e krijoi nën presione të jashtëzakonshme ndërkombëtare.
Këto janë dy plane të ndryshme: njëri zhvillohet në sallën e gjyqit, tjetri në historinë politike të Kosovës. T’i ngatërrosh do të thotë të presësh nga avokatët të zgjidhin një problem që tejkalon procesin penal.
Po aq i zbrazët është edhe vajtimi politik nga Tirana. Deklaratat patetike, fotografitë, statuset, flamujt dhe fjalët e mëdha kushtojnë pak. Matësi serioz është kostoja politike që një politikan është i gatshëm të marrë përsipër për një çështje që e quan kombëtare. Nëse ajo kosto është zero, kjo s’është politikë, por teatër politik.
Ky është fenomeni më shqetësues: simulimi i veprimit. Deklaratat paraqiten si veprim, takimet si strategji, zemërimi si rezistencë dhe pritja si maturi. Por kur kërkon pasoja konkrete, luga është bosh.
Problemi, pra, nuk reduktohet te një vendim gjykate. Ai ekspozon një dobësi më të madhe: shqiptarët vazhdojnë të reagojnë ndaj ngjarjeve, por rrallë ndërtojnë kapacitet për t’u paraprirë atyre. Një komb që vetëm reagon jeton gjithmonë brenda strategjisë së dikujt tjetër.
Debati serioz duhet të nisë jo nga pyetja se kush bërtiti më fort apo kush e do më shumë Kosovën, por nga pyetja: cili është projekti afatgjatë i shqiptarëve dhe cilat institucione janë ndërtuar për ta mbrojtur atë?
Një projekt kombëtar serioz do të thotë të përcaktohen interesat që duhet të mbijetojnë përtej partive dhe qeverive, të ndërtohen institucione për mbrojtjen e tyre dhe të krijohet kapacitet diplomatik, juridik, ekonomik, demografik e kulturor.
Pa këtë, çdo krizë do të na gjejë sërish të zemëruar, të papërgatitur dhe të varur nga vendimet e të tjerëve. Do të kemi shtete shqiptare, por pa një ide të qartë se cilin interes historik duhet të mbrojnë. Dhe do të flasim shumë, ndërsa presim që dikush tjetër të vendosë se çfarë vjen më pas.








