Miliona myslimanë e lexojnë suren Kehf çdo të premte. Disa prej tyre e kanë mësuar përmendësh e të tjerë ajete prej saj, të tjerë e përsërisin leximin e saj javë pas jave dhe shumë prej tyre e njohin vlerën dhe mirësinë që lidhet me të, si dhe dritën që përmendet në lidhje me të.
Por ekziston një pyetje që ia vlen të ndalemi dhe të reflektojmë pak mbi të: Pse pikërisht surja Kehf?
Çfarë mund ta bëjë një sure që përmbledhë histori që në pamje të parë duken krejt të ndryshme. Disa të rinj që arratisen drejt një shpelle, një burrë që zotëron dy kopshte, Musai (a.s) në një udhëtim me një rob të devotshëm dhe një mbret të fuqishëm që përshkon tokat… Çfarë i bashkon të gjitha këto histori në një sure të vetme?
Ndoshta sepse këto histori nuk janë aq të largëta nga njëra-tjetra sa duken.
Në të vërtetë, ato janë historia e njeriut kur sprovohet.
Më e rrezikshmja është se sprova nuk vjen gjithmonë në formën e diçkaje nga e cila njeriu ka frikë. Ndonjëherë ajo vjen në formën e diçkaje që njeriu e do.
Sureja fillon me fjalën e Allahut të Madhëruar: “Falënderimi i takon Allahut, i Cili ia shpalli robit të Tij Librin dhe nuk lejoi në të asnjë shtrembërim.”
Sikur që në fillim, përpara se njeriu të hyjë në të gjitha historitë e sures, i vendoset përpara e vërteta për të cilën ka nevojë: një peshore e drejtë.
Njeriu nuk humbet gjithmonë rrugën sepse nuk di, por mund të humbasë sepse ka humbur standartin me të cilën peshon atë që di.
Pastaj vjen historia e banorëve të shpellës.
Të rinj që jetojnë në një shoqëri që beson në gjëra të ndryshme nga ato që besojnë ata, por ata nuk lejuan që frika nga të qenit ndryshe t’ua ndryshonte atë që ishte ngulitur në zemrat e tyre: “Zoti ynë është Zoti i qiejve dhe i tokës. Ne nuk do të adhurojmë, përveç Tij, asnjë zot tjetër.”
Këtu shfaqet sprova e fesë.
Sa njerëz e njohin të vërtetën, por kanë frikë se mos duken ndryshe?
Sa të rinj përshtaten me të gabuarën vetëm sepse nuk duan të dalin nga turma?
Ndonjëherë çmimi i qëndrueshmërisë nuk është humbja e jetës, por humbja e një pjese të pranimit, rehatisë dhe përfitimeve
Më pas, sureja kalon te një burrë që zotëron dy kopshte. Ai sheh gjithçka që ka përpara dhe thotë: “Nuk mendoj se kjo do të zhduket kurrë.”
Këtu shfaqet sprova e pasurisë.
Problemi nuk qëndron te fakti që njeriu zotëron diçka, por te çasti kur ajo që zotëron shndërrohet në bindjen se nuk mund ta humbasë kurrë.
Një punë e qëndrueshme.
Një llogari bankare që rritet.
Shëndet i mirë.
Sukses i vazhdueshëm.
Të gjitha këto mund të shndërrohen, pa e kuptuar njeriu, nga mirësi për të cilat falënderohet Allahu, në iluzione që ai mendon se do të zgjasin përgjithmonë.
Pastaj vjen shembulli: “Dhe paraqitju atyre shembullin e jetës së kësaj bote. Ajo është si uji që Ne e zbresim nga qielli… e pastaj bëhet kashtë e tharë, të cilën e shpërndajnë erërat.”
Sikur sureja t’i pëshpërisë njeriut: Ajo që ke përpara është e vërtetë, por nuk është e përhershme.
Pastaj vjen historia e Musait (a.s) me robin e devotshëm.
Ngjarje që, në pamje të parë, duken të pakuptueshme, derisa në fund vjen shpjegimi.
Këtu shfaqet sprova e dijes.
Njeriu sheh vetëm një pjesë të vogël të historisë dhe pastaj mendon se e di gjithçka.
I ndodh diçka që nuk e kupton dhe mendon se jeta i ka bërë padrejtësi.
Një derë i mbyllet përpara dhe ai mendon se e ardhmja e tij ka marrë fund.
Humb diçka dhe mendon se humbja është e gjithë historia.
Por: Ajo që njeriu sheh në një çast, nuk është e gjithë historia.
Pastaj vjen historia e Dhul-Karnejnit.
Një njeri të cilit Allahu i dha pushtet në tokë dhe i mundësoi mjetet e fuqisë, por ai nuk e pa atë që kishte si arsye për t’u lartësuar mbi të tjerët. Përkundrazi, pasi përfundoi veprën e tij, tha: “Kjo është mëshirë nga Zoti im.”
Këtu shfaqet sprova e fuqisë.
Sa njerëz ndryshojnë sapo fitojnë pushtet?
Një drejtues që harron se dikur ishte edhe vetë punonjës.
Një prind që e shndërron aftësinë për të edukuar në dëshirë për të kontrolluar.
Një person i famshëm që harron se ndikimi që ka mbi njerëzit është përgjegjësi, përpara se të jetë privilegj.
Fuqia nuk qëndron në atë që njeriu mund t’u bëjë të tjerëve, por në atë që u bën atyre kur ka mundësi për ta bërë.
Kështu, historitë ndryshojnë, por sprova mbetet e njëjtë.
Feja.
Pasuria.
Dija.
Fuqia.
Katër gjëra për të cilat njeriu ka nevojë në jetën e tij, por që mund të shndërrohen në sprova, nëse ai humbet ekuilibrin e duhur.
Për këtë, sureja përmbyllet duke e kthyer njeriun te e vërteta që ai duhet ta mbajë gjithmonë në mendje, pavarësisht se çfarë zotëron: “Kush shpreson në takimin me Zotin e tij, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurimin e Zotit të tij.”
Ndoshta pikërisht për këtë arsye, miliona myslimanë e lexojnë suren Kehf çdo të xhuma.
Jo se njeriu ka nevojë për një histori të re çdo javë.
Por sepse ka nevojë të kujtojë, çdo javë, se sprova mund të hyjë në jetën e tij pikërisht nga dera që ai do më shumë.
Gjëja më e rrezikshme që mund t’i ndodhë njeriut nuk është të humbasë diçka, por të zotërojë diçka dhe, për shkak të saj, të humbasë veten.
Autor: AbdulKerim Bekkar
Përktheu: Mevlad Çollaku
By: ardhmëriaonline.com








