Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se dëshirojnë që në Kazakistan të vendoset sa më shpejt stabiliteti dhe paqja, raporton Anadolu Agency (AA).
“Dëshira jonë është që Kazakistani të vendosë stabilitet, paqe dhe qetësi sa më shpejt të jetë e mundur. Turqia dhe Organizata e Shteteve Turke do të ofrojnë çdo formë të mbështetjes”, tha Çavuşoğlu në një takim me përfaqësuesit e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në pushtet në Antalya të Turqisë.
Protestat në Kazakistan nisën fillimisht në perëndim të vendit më 2 janar për shkak të rritjes së çmimit të karburanteve dhe më pas u përhapën në zona të tjera. Presidenti Kassym-Jomart Tokayev më pas shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Almaty, qyteti më i madh i vendit, dhe rajonin e pasur me naftë Mangystau, dhe më vonë miratoi dorëheqjen e qeverisë.
Tokayev tha më herët se ai kishte urdhëruar forcat e sigurisë të qëllonin pa paralajmërim mbi njerëzit që ai i quajti “terroristë”, duke i akuzuar ata për vazhdimin e dhunës.
Ministria e Punëve të Brendshme të Kazakistanit njoftoi të premten se të paktën 18 anëtarë të forcave të sigurisë dhe 26 demonstrues u vranë gjatë trazirave.
Një deklaratë nga Ministria e Brendshme e Kazakistanit tha të dielën se numri i personave të arrestuar në trazirat e vendit ishte rritur në 5.135 dhe se numri i anëtarëve të lënduar të forcave të sigurisë kishte kaluar në mbi 1.300.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se 300 persona me shuma të mëdha parash dhe mallra të vjedhura, përfshirë armë zjarri dhe telefona celularë, u ndaluan teksa tentonin të kalonin kufirin me makinë ose në këmbë.
Çavuşoğlu tha gjithashtu se Turqia ka një mision specifik në politikën e saj të jashtme, që është t’i shohë problemet dhe vështirësitë e vendeve vëllazërore dhe mike kudo si të tyret. /aa


