Çavuşoğlu: Greqia vazhdon të shkelë të drejtat e pakicës turke

Greqia nuk e njeh komunitetin turk që jeton në Trakinë Perëndimore si një pakicë etnike, duke shkelur kështu një traktat të madh ndërkombëtar, tha sot ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Greqia vazhdon me këmbëngulje të shkelë Traktatin e Lozanës dhe të drejtat themelore të njeriut të pakicës turke. Vëllezërit tanë në Trakinë Perëndimore nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë kurrë vetëm”, shkroi Çavuşoğlu në Twitter.

Komentet e kryediplomatit Çavuşoğlu erdhën pasi ai u takua me anëtarët e bordit këshillues të Pakicës Turke të Trakisë Perëndimore në kryeqytetin e Turqisë, Ankara.

Në rajonin e Trakisë Perëndimore, i cili gjendet pranë kufirit verilindor të Greqisë me Turqinë, jetojnë rreth 150.000 turq muslimanë.

Çavuşoğlu ndau gjithashtu një listë të praktikave diskriminuese që Greqia ka kryer kundër komunitetit turk, duke përfshirë ndalimin e tyre nga përdorimi i fjalës “turk” në emrat e shkollave dhe fondacioneve të tyre, si dhe ndalimin e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre fetarë.

Të drejtat e turqve të Trakisë Perëndimore janë të garantuara me Traktatin e Lozanës të vitit 1923. Por gjatë dekadave, situata është përkeqësuar seriozisht, pasi Greqia refuzon të zbatojë vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Turqia ka kritikuar prej kohësh Greqinë për privimin e pakicës muslimane turke nga të drejtat dhe liritë e tyre themelore.