Çeku reagon pasi Serbia i shkroi UEFA-s: Kosova s’do të tolerojë asnjë aktivitet ilegal

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar pasi që Federata e Futbollit e Serbisë i është drejtuar me letër UEFA-s për garat ilegale të saj në territorin e Kosovës e në të cilën nuk është treguar realiteti në terren, përkatësisht fakti që garat e serbëve lokalë në Kosovë organizohen nga Federata e Futbollit e Serbisë.

Çeku ka thënë se Serbia po vazhdon me veprime dëmtuese ndaj Kosovës, në shkelje të plotë me mirëbesimin si bazë e marrëveshjes së fundit në procesin e dialogut.

Sipas tij letra e Federatës së Futbollit të Serbisë drejtuar presidentit të UEFA-së, përveç shtrembërimit të realitetit, përdor edhe gjuhë fyese.

Ai ka theksuar se Kosova nuk do të tolerojë asnjë aktivitet ilegal, që shkel rendin kushtetues dhe ligjor të vendit.

“Kosova është vend i sportit, por ne nuk do të tolerojmë aktivitete ilegale që shkelin rendin tonë kushtetues dhe ligjor, si dhe kartat evropiane e botërore të sportit. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Federata e Futbollit e Kosovës është anëtare me të drejta të plota e UEFA dhe FIFA. U bëjmë thirrje të gjitha klubeve të sportit të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv të Kosovës”, ka shkruar Çeku në Facebook.

Çeku ka thënë se federatat e sportit të Kosovës për kohë të gjatë i kanë ftuar klubet sportive të komunitetit serb në Republikën e Kosovës që të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv në shtetin tonë.

“Për vite, federatat e sportit të Serbisë kanë organizuar aktivitet paralel dhe ilegal si pjesë e kampionateve të tyre zyrtare në zona të caktuara brenda territorit të Republikës së Kosovës. Marrëveshja e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga BE-ja, veç tjerash, parasheh marrëdhënie të barabarta dhe të fqinjësisë së mirë. Palët gjithashtu janë pajtuar të mos e përfaqësojnë njëra-tjetrën ndërkombëtarisht”, ka shkruar Çeku.