Momentalisht dy klubet janë duke përjetuar një moment të shkëlqyer.
Këtë të shtunë Liverpooli dhe Chelsea do të përballen për të 180-ën herë ndërmjet tyre, një numër i konsiderueshëm ndeshjesh, që e shndërron vetvetiu këtë duel, në një klasike të kohëve moderne. Të dy ekipet kanë rivalitet shumë më të egër me skuadra të tjera, megjithatë dekadën e fundit, por sidomos në mijëvjeçarin e ri, gjërat janë ashpërsuar ndjeshëm.
Klubi nga Merseyside dhe ai nga kryeqyteti britanik, pasi janë përballur shpesh në të gjithë kompeticionet, si Champions, FA Cup, Kupë Lige apo dhe kampionat, ku “blutë” madje janë shkaktarë që Liverpooli, një ndër klubet më të lavdishëm të këtij vendi, nuk ka ende një titull në Premier League në 28 vitet e fundit. The Reds regjistrojnë 77 fitore, 66 “Blutë e Londrës” teksa 40 takime kanë përfunduar në barazim.
Liverpooli duket i pandalshëm, me skuadrën e Jurgen Kloop që ka një bilanc fantastik me plot 6 fitore rradhazi në kampionat, 14 gola të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar. E njëjta situatë vjen edhe për Chelsea-in, me një ndryshim të vetëm që skuadra e Sarrit u ndal në barazim në derbin e Londrës kundër West Ham. Gjithsesi edhe blutë deri më tani ende nuk e kanë provuar shijen e humbjes, 5 fitore një barazim 14 gola të shënuar dhe 4 të pësuar.
Edhe këtë sezon The Reds të udhëhequr nga treshja bombastike, Salah, Firmino dhe Mane kanë një raport të shkëlqyer me golin,teksa në krahun tjetër tek Chelsea shënojnë të gjithë, por mbetet për t’u veçuar Eden Hazard. Belgu po shndërrohet në liderin e vërtetë të kësaj skuadre. Ekipet u ndeshën në mesjavë, në takimin e vlefshëm për Kupën e Ligës, aty blutë fituan me përmbysje në fushën e Liverpoolit. Gjtihsesi kjo përballje pritet të jetë diçka tjetër, komplet ndryshe nga sfida e fundit, transmeton “SS”.
Kurioz është fakti që në 7 përballjet e fundit ndërmjet tyre, nuk është respektuar fare faktori fushë, por gjithsesi në ‘Stamford Bridge’, do të përballen dy filozofi të ndryshme, pasi Liverpooli me lojtarë të tillë si Salah, Mane apo Firmino, përbën një makineri të vërtetë golash, ndërsa trajneri italian kërkon që të arrijë rezultatet e dëshiruara nëpërmjet një loje tepër aktive ku të gjithë janë të përfshirë.
Sidoqoftë në Stamford Bridge, Chelsea-Liverpool ashtu si çdo herë tjetër do të jetë një duel zjarri dhe spektakli është i garantuar.







