Chiesa e mbyll sezonin para kohe

Sulmuesi i krahut, italiani Federico Chiesa e ka mbyllur sezonin 2021/22 para kohe për shkak të lëndimit. Ishte skuadra e Juventusit që e konfirmoi një gjë të tillë pasi Chiesa ka lënduar ligamentin kryqëzor të gjurit dhe ditëve në vijim do t’i nënshtrohet operimit.

Chiesa u lëndua në ndeshjen e fundit ndaj Romës të dielën, të cilën Juventusi e fitoi me rezultatin 4:3.

“Ekzaminimet e kryera në J Medical konfirmuan një çarje të ligamentit kryqëzor te Federico Chiesa. Do të jetë e nevojshme që futbollisti t’i nënshtrohet operimit ditëve në vijim”, thuhet në komunikatën e Juventusit.

Shkaku i këtij lëndimi, Chiesa do t’i mungojë edhe Përfaqësueses së Italisë në ndeshjet e plejofit për Kampionatin Botëror “Katari 2022” që do të luhen në muajin mars.

Këtë edicion, Chiesa ishte njëri prej lojtarëve kryesor te Juventusi. Ai ka shënuar katër gola dhe ka bërë po aq asistime në 18 paraqitje për Juventusin në të gjitha garat.