Christopher Hill konfirmohet ambasador i SHBA-ve në Serbi

Christopher-Hill

Diplomati amerikan, Christopher Hill, u konfirmua ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara në Serbi.

Ai do ta zëvendësojë Anthony Godfreyn, i cili ka qenë ambasador i SHBA-së në Beograd qysh në nëntor të vitit 2019.

Hill, diplomat veteran, ka thënë më parë se misioni i tij në Serbi do të fokusohet në nxitje të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës.

“Nëse konfirmohem, unë do ta inkurajoj Serbinë që të angazhohet fuqishëm dhe urgjentisht për të gjetur një rrugë përpara me fqinjin e saj”, kishte thënë ai.

Ambasadori Hill ka nënvizuar vazhdimisht rëndësinë që ka Serbia për të arritur stabilitetin dhe përparimin e Ballkanit Perëndimor.

“Shtetet e Bashkuara, së bashku me partnerët tanë evropianë vazhdojnë të mbështesin zhvillimin e Serbisë si një vend modern, i begatë evropian, në paqe me fqinjët e saj. Përparimi i Serbisë është pjesë e arritjes së qëllimeve strategjike të SHBA-së, si rigjallërimi i aleancave tona evropiane, mbështetja e demokracisë dhe sundimi i ligjit, promovimi i bashkëpunimit ekonomik dhe trajtimi i sfidave globale dhe rajonale”, tha ai.

Ambasadori tha gjithashtu se do të ndihmojë Serbinë që t’u rezistojë ndikimeve keqdashëse, përfshirë nga Rusia dhe Kina. /euronews