Ballina Lajmet Rajon dhe Botë CIA e pranon dështimin në Iran

CIA e pranon dështimin në Iran

Teherani po reziston e Uashingtoni në udhëkryq të rrezikshëm diplomatik dhe ushtarak

Inteligjenca amerikane tregon se lidershipi i Iranit mbetet kryesisht i paprekur dhe nuk rrezikon rrëzimin e afërt, pavarësisht dy javësh bombardimesh intensive nga SHBA-të dhe Izraeli.

Sipas burimeve të njohura me raportet e fundit, cituar nga agjencia e lajmeve Reuters, regjimi iranian vazhdon të ruajë kontrollin mbi publikun, duke sfiduar pritshmëritë për një përmbysje të shpejtë.

Raporti i fundit i inteligjencës, i përfunduar ditët e fundit, vjen në një kohë kur presidenti Donald Trump po përballet me presion të lartë politik për shkak të rritjes së çmimeve të naftës.

Trump ka sugjeruar se mund t’i japë fund “së shpejti” operacionit më të madh ushtarak amerikan që nga viti 2003, por qëndrueshmëria e qeverisjes në Teheran e bën të vështirë gjetjen e një daljeje të pranueshme nga lufta.

Analizat nënvizojnë kohezionin e udhëheqjes klerikale, pavarësisht vrasjes së Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, më 28 shkurt – në ditën e parë të sulmeve. Edhe zyrtarët izraelitë e kanë pranuar në biseda private se nuk ka asnjë garanci që fushata ushtarake do të sjellë rënien e qeverisë.

Që nga fillimi i konfliktit, SHBA dhe Izraeli kanë goditur objektiva strategjikë si mbrojtja ajrore, centralet bërthamore dhe zyrtarë të lartë të Gardës Revolucionare (IRGC). Megjithatë, IRGC dhe udhëheqësit e përkohshëm kanë arritur të ruajnë frenat e shtetit.

Asambleja e Ekspertëve tashmë ka shpallur djalin e Khameneit, Mojtaba, si pasardhësin në krye të vendit. Në terren, shpresat për një kryengritje të brendshme mbeten të zbehta.

Ndonëse grupet kurde iraniane në Irak kanë pretenduar se dhjetëra mijëra të rinj janë gati të rrëmbejnë armët, inteligjenca amerikane ka hedhur dyshime mbi aftësitë e tyre. Vlerësimet tregojnë se këtyre grupeve u mungon fuqia e zjarrit dhe numri i nevojshëm i luftëtarëve për të mposhtur forcat e sigurisë iraniane.

Edhe pse ka pasur raportime për braktisje të disa bazave nga IRGC në zonat kurde, Trump ka përjashtuar mundësinë e mbështetjes për një sulmi kurd brenda Iranit.

Aktualisht, administrata Trump gjendet në një udhëkryq: objektivat fillestare për “marrjen e kontrollit” nga populli iranian nuk po realizohen, ndërsa makineria shtetërore e Teheranit po tregon një elasticitet të papritur ndaj fuqisë ajrore perëndimore. /tesheshi