Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ç’ideologji fshihet pas doktrinës shkatërruese të Huthinjve?

Ç’ideologji fshihet pas doktrinës shkatërruese të Huthinjve?

Husein Al-Huthi ndërthurti ekskluzivizmin sektar me idetë e Revolucionit Iranian

Hani Nasira, Arab News

Sulmet e Huthinjve ndaj aeroporteve saudite dhe objektivave të tjera civile, shpjegohen shpesh përmes strategjisë ushtarake, rivalitetit rajonal dhe aleancës së tyre me Iranin.

Por pas raketave dhe dronëve qëndron edhe një ideologji që e ndan botën në aleatë dhe armiq, pretendon legjitimitet ekskluziv fetar dhe e paraqet përballjen si një detyrim të shenjtë.

Huthinjtë, të njohur edhe si Ansar Allah, u shfaqën në vitin 1992 si një lëvizje fetare në Jemenin Verior. Me kalimin e kohës, ata u shndërruan në një forcë ushtarake rajonale, të aftë të kërcënojë furnizimet globale me energji dhe të pengojë lundrimin në një nga korridoret detare më të rëndësishme të botës.

Rrënjët ideologjike të lëvizjes gjenden te mësimet e Husein Al-Huthit, i cili synonte të riformësonte rendin politik dhe fetar të Jemenit, duke e mbështetur atë te autoriteti i pasardhësve të profetit Muhamed.

I frymëzuar nga një interpretim radikal i islamit shiit zejdit dhe nga Revolucioni Islamik i Iranit, ai ndërthuri edukimin fetar me mobilizimin politik dhe përgatitjen për luftë.

Babai i tij, Badr Al-Din Al-Huthi, njihej për ngurtësinë doktrinore dhe intolerancën sektare. Ai refuzonte të shprehte bekimin tradicional për kalifët e parë, Ebu Bekrin dhe Omarin.

Huseini trashëgoi këto qëndrime dhe zhvilloi një doktrinë që i konsideronte disa interpretime të tjera të islamit të papranueshme.

Në vitin 1996, pas një konflikti me autoritete të tjera fetare, familja Al-Huthi u përqendrua te organizata “Rinia Besimtare”, e cila u përhap në disa provinca të Jemenit.

Duke këmbëngulur se familja e profetit kishte të drejtën të sundonte, lëvizja u largua nga format më të moderuara të zejditizmit dhe u orientua drejt një doktrine revolucionare.

Husein Al-Huthi studioi me klerikë në Qom të Iranit dhe u ndikua nga idetë e ajatollah Ruhollah Khomeinit dhe përvoja e Hezbollahut. Lëvizja kaloi gradualisht nga veprimtaria fetare në mobilizimin politik dhe përgatitjen për përballje të armatosur.

Në vitin 2004, Huthinjtë nisën luftën kundër qeverisë jemenase. Gjashtë raunde konfliktesh u zhvilluan deri në vitin 2010, duke u përhapur nga provinca Sadah drejt zonave të tjera dhe deri në kufirin saudit.

Në vitin 2011, lëvizja iu bashkua protestave kundër presidentit Ali Abdullah Saleh, por më pas e kundërshtoi procesin e tranzicionit politik.

Në shtator të vitit 2014, Huthinjtë pushtuan Sanan dhe e zgjeruan kontrollin drejt jugut. Në mars të vitit 2015, ndërhyrja e një koalicioni ndërkombëtar të udhëhequr nga Arabia Saudite e shndërroi konfliktin në një luftë rajonale.

Raketat dhe dronët e Huthinjve goditën zona kufitare, aeroporte dhe objekte të industrisë saudite të naftës. Pas një armëpushimi të ndërmjetësuar nga OKB-ja në vitin 2022, në nëntor të vitit 2023, ata nisën sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, duke pretenduar se vepronin në mbështetje të palestinezëve gjatë luftës në Gaza.

Sulmet i detyruan kompanitë detare të devijonin anijet përreth Afrikës dhe shkaktuan goditje ushtarake amerikane e britanike ndaj pozicioneve të lëvizjes.

Nga kundërshtimi politik te armiqësia fetare

Më 17 janar 2002, Husein al-Huthi prezantoi në një shkollë fetare në Marran, në provincën Sadah, sloganin “Vdekje Amerikës, vdekje Izraelit”, duke u kërkuar të pranishmëve ta përsërisnin. Por doktrina e tij nuk kufizohej te kundërshtimi i fuqive të huaja.

Al-Huthi i konsideronte jobesimtarë ata që nuk pranonin pikëpamjen e tij se Ali ibn Ebu Talibi ishte përcaktuar nga profeti si pasardhësi i tij. Në shkrimet e veta, ai kritikonte figura të rëndësishme të historisë së hershme islame dhe i paraqiste disa rryma të tjera fetare si kërcënime ndaj islamit.

Në traktatin “Besnikëria dhe armiqësia”, ai e zgjeronte këtë qëndrim ndaj kujtdo që, sipas tij, largohej nga rruga e familjes së profetit. Mospajtimi fetar nuk trajtohej si një dallim i ligjshëm interpretimi, por si arsye për përjashtim dhe armiqësi.

Kjo qasje krijonte një ndarje të prerë mes atyre që konsideroheshin mbrojtës të besimit dhe atyre që shpalleshin armiq të tij. Në këtë mënyrë, përballja politike dhe ushtarake mund të paraqitej si detyrim fetar, ndërsa kundërshtarët nuk shiheshin më thjesht si rivalë, por si njerëz që duhej të mposhteshin në emër të një misioni më të lartë.

Al-Huthi u përpoq t’i kthente këto ide në një lëvizje masive. Ai ngriti shkolla fetare, organizoi kampe verore, seminare dhe ligjërata, si dhe rekrutoi mijëra të rinj. Sipas raportimeve, numri i ndjekësve të rinj kishte kaluar 18.000 deri në kohën e vdekjes së tij.

Revolucioni iranian dhe pretendimi për një mision hyjnor

Ndikimi i Iranit ishte thelbësor në formimin e ideologjisë së lëvizjes. Al-Huthi e paraqiste revolucionin e Khomeinit si një përpjekje për çlirimin e arabëve dhe myslimanëve nga ndikimi amerikan dhe perëndimor.

Në shkrimin “Rreziku i hyrjes së Amerikës në Jemen”, ai pretendonte se vendet që i ishin kundërvënë revolucionit iranian kishin vuajtur pasojat e veprimeve të tyre.

Megjithatë, zejditizmi dhe doktrina e Khomeinit nuk janë e njëjta traditë. Zejditizmi ka historikisht një traditë kryengritjeje kundër sundimtarëve të padrejtë, ndërsa doktrina iraniane e velajat-e fakihut, ose kujdestarisë së juristit islam, u zhvillua brenda shiizmit.

Pavarësisht dallimeve, Husein Al-Huthi e përvetësoi një pjesë të rëndësishme të vizionit revolucionar iranian. Kjo ndikoi në mënyrën se si lëvizja e ndërthurte identitetin fetar me kundërshtimin e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Më 23 shkurt 2012, Huthinjtë publikuan një dokument të nënshkruar nga udhëheqësi i tyre, Abdul Malik al-Huthi, ku përcaktoheshin parimet fetare dhe politike të lëvizjes. Dokumenti pretendonte se ajo përfaqësonte besimin e drejtë dhe se Zoti e kishte zgjedhur për të ringjallur bashkësinë muslimane.

Ky pretendim për një mandat hyjnor e forcon idenë se lëvizja ka të drejtë të veçantë për të përcaktuar besimin dhe për të luftuar kundërshtarët e saj.

Rreziku themelor i doktrinës së Huthëve qëndron pikërisht në pretendimin për legjitimitet ekskluziv fetar, delegjitimimin e bindjeve rivale dhe shndërrimin e përballjes me armiqtë e përcaktuar në një detyrim të shenjtë.

Kjo kornizë ideologjike mund ta normalizojë armiqësinë dhe të përdoret për të justifikuar dhunën, përfshirë sulmet ndaj civilëve. \tesheshi