Çka dështoi sot në Kuvendin e Kosovës

Me vetëm një ministër në sallë, atë të financave, Bedri Hamza, është zhvilluar debati parlamentar i thirrur nga LDK-ja për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2019-2021.

Derisa opozita ka dhënë kritika të ashpra për këtë dokument, atë është munduar ta mbrojë shefi i buxhetit të Kosovës, raporton KTV.

Avdullah Hoti i LDK-së ka thënë se ky dokument e shpërfaq mungesën e vizionit të Qeverisë Haradinaj.

Tha se kishin premtuar rritje më të madhe ekonomike e rritje të pagave, por rritje 100 për qind i bëri pagës së tij.

LDK-ja ka kërkuar përgjigje nga ministri Hamza edhe për shpenzimet për lobim, mjete që po merren nga mallrat dhe shërbimet dhe nuk dihet se ku po shkojnë.

Megjithatë, i gjithë ky debat është zhvilluar me numër të vogël deputetësh në sallë, e kjo e ka nervozuar deputetin më të vjetër, Adem Mikullovci.

As më herët gjatë ditës punët nuk ishin më mirë.

Shumë votime të rezolutave e projektligjeve dështuan, disa në mungesë kuorumi e disa në mungesë të pjesëmarrjes së deputetëve në votim, pavarësisht pranisë fizike në sallë.

Por, vota pati për të formuar komisionin hetimor për dëbimin e shtetasve turq nga Kosova.

Këtë komision do ta udhëheqë Xhelal Sveçla i Vetëvendosjes, derisa do t’i ketë 11 anëtarë dhe nga kjo e enjte ata kanë afat katër muaj ta sjellin raportin para deputetëve në Kuvend./koha.net