Çka i dallon ‘izraelitët’ shqiptarë nga intelektualët e mirëfilltë hebre!

Kim Mehmeti

Ka intelektualë dhe autorë hebre që e pranojnë se ‘nga viti 1948, Izraeli në asnjë çast nuk ka pushuar së ndëshkuari palestinezët’ dhe se ‘pas gjithë kësaj që ndodh sot qëndron dhuna dhe arroganca izraelite’.
Ata e thonë se ‘Izraelit i është lejuar gjithçka’, se ky shtet nuk ka paguar asnjë çmim për terrorin shtetëror mbi palestinezët dhe se i ‘papenguar ka arrestuar, ka vrarë, ka torturuar…’ e që sot, Kryeministri i këtij shteti, me tërë arrogancën shtatë dekadëshe, para gjithë botës të lëvdohet se “Gaza do të rrafshohet përtokë”.
Po pra, ka intelektualë hebre që shpjegojnë se botës i ‘dhimbsen pengjet e marra nga Hamasi, por jo edhe fëmijët e nënat e vrara në Gaza nga Izraeli, se bota e dënon Hamasin, por nuk e bën të njëjtën gjë për qeverinë e Izraelit’, sepse atë botë e informojnë mediat perëndimore që funksionojnë sipas parimeve raciste dhe për të cilat Izraelitët janë të bardhë, e palestinezët jo?!
Dhe këto personalitete hebre e thonë të vërtetën sepse mbi të gjitha janë Njerëz dhe intelektualë, e jo si këta ‘izraelitët’ pa kurrizorë shqiptarë të cilët dekada me radhe e shohin ushtarin izraelit që e ka goditur guri, por jo edhe fëmijën e vrarë palestinezë.
Dhe ajo që i dallon personalitetet hebre që e thonë të vërtetën nga shumica e ‘intelektualëve’ shqiptarë, ka të bëjë me urrejtjen e ‘izraelitëve’ tanë ndaj fesë dhe botës islame, e të cilën urrejtje ata e mbulojnë me kinse ‘mirënjohjen’ e tyre ndaj lobeve hebre që e ndihmuan Kosovën e shqiptarinë.
Ndërkohë duke harruar që bota e dinë se ‘mirënjohësit’ dyfytyrësh edhe humanizmin e kanë të parallogaritur dhe, atë e përdorin vetëm sa për të qenë të pëlqyer nga më i forti, nga i pasuri dhe i pushtetshmi që ua mbush grazhdin.
Pra duke harrura se ai që shkaku i interesit të vet aq është verbëruar e shurdhuar sa nuk i sheh plagët e viktimës dhe nuk i dëgjon piskamat e fatkeqit, me asgjë nuk e meriton keqardhjen e të tjerëve dhe, me asgjë nuk ndryshon nga ata që shkelin mbi gjakun dhe fatin e të pambrojturve!

Nga: Kim Mehmeti