Çmimi i javës kalon në Prishtinë, Krasniqi më i miri i xhiros së katërt në Superligë

Endrit Krasniqi

Është ndërruar lokacioni i çmimit të javës në Superligën e Kosovës. Pas Mitrovicës e Malishevës kësaj radhë destinacioni ishte në Prishtinë.

Futbollisti i Prishtinës, Endrit Krasniqi është vlerësuar si lojtari më i mirë i xhiros së katër nga komisioni i veteranëve.

Krasniqi me lojën e shfaqur kundër Llapit ishte më i merituar për fitoren e FC Prishtina , me rezultat 2:1 në “Zahir Pajaziti”.

Ai fillimisht nxori penallti në minutën e 13-të, të cilën në gol e shndërroi Kreshnik Uka, derisa më pas në minutën e 58-të shënoi golin që e vulosi fitoren e bardhekaltërve. Mesfushori pas çmimit të marrë kishte edhe dedikime, kryesisht për këtë i la meritë skuadrës së tij.

“Besoj që ky çmim është meritë e gjithë skuadrës, por natyrisht edhe e imja. Si unë personalisht, ashtu edhe i gjithë ekipi patëm paraqitje shumë të mirë në ndeshjen me Llapin, por në të njëjtin nivel kemi luajtur edhe në të ndeshjet e deritanishme. Mendoj që në Prishtinë është duke u bërë një organizim shumë i mirë dhe kjo na jep shpresë që të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe t’i marrim ndeshjet një nga një”, nënvizoi Krasniqi.

Prishtina nga katër xhiro ka të zhvilluara vetëm tri ndeshje, derisa ka arritur dy fitore e një barazim. Ekipi i drejtuar nga Ismet Munishi ndodhet në pozitën e dytë me shtatë pikë. /tëvë1