Tel Avivi dhe Abu Dhabi, në një bllok me lëvizje separatiste në Sudan, Libi, Jemen dhe Somaliland
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, prezantoi një hartë të rajonit të gjerë të Lindjes së Mesme, ku Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe paraqiten në një linjë me një forcë paraushtarake në Sudan, të akuzuar për kryerjen e gjenocidit, si dhe me lëvizje separatiste në Libi, Jemen dhe Somaliland.
Harta, e cila mban logon e Institutit Friedrich-Ebert-Stiftung në Gjermani, nuk përbën një surprizë të madhe për vëzhguesit e zhvillimeve rajonale. Megjithatë, ajo mund të krijojë vështirësi për disa nga partnerët rajonalë të Izraelit dhe të përforcojë dyshimet e shteteve arabe për synimet e tij.
Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe paraqiten si pjesë e një aleance të quajtur “Aleanca e Gjashtëkëndëshit”. Në këtë bllok, harta përfshin edhe Greqinë, Etiopinë dhe disa pjesë të Indisë.
Ajo shënon gjithashtu një zonë të gjerë në jugperëndim të Sudanit si miqësore me Izraelin dhe Emiratet. Kjo zonë kontrollohet nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), një formacion paraushtarak sudanez.
Ekspertë të Kombeve të Bashkuara dhe dhjetëra raportime mediatike, përfshirë ato të Middle East Eye, kanë dokumentuar mbështetjen e gjerë të Emirateve për këtë forcë.
RSF-ja drejtohet nga Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur si Hemedti, ish-udhëheqës i milicive Janjaweed. Këto forca janë akuzuar gjerësisht për kryerjen e gjenocidit në Darfur. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mohuar zyrtarisht se e mbështesin RSF-në.
Harta u paraqit të dielën, në kuadër të prezantimit nga Netanyahu të një doktrine të re të sigurisë kombëtare, e cila vë theksin te goditjet parandaluese dhe krijimi i “zonave tampon” përgjatë kufijve të Izraelit.
“Zgjatja e Luftës së Shpëtimit kërkoi përditësimin e parimeve themelore të doktrinës tradicionale të sigurisë kombëtare, ndër të cilat përparësia e parandalimit dhe ofensivës ndaj frenimit dhe mbrojtjes, përfshirë goditjet parandaluese për të neutralizuar kërcënimet në zhvillim; forcimi i mbrojtjes së frontit të brendshëm kundër kërcënimeve të reja; si dhe konsolidimi i statusit të Izraelit si fuqi rajonale”, thuhej në deklaratën e zyrës së Netanyahut.
Deklarata shtonte se “janë krijuar mundësi për ndërtimin e aleancave të reja në rajonin tonë dhe përtej tij”.
“Aleanca Diamanti Sunit”
Harta e publikuar nga Netanyahu, e paraqet Izraelin në një linjë me grupe separatiste, ndërsa disa nga partnerët më të vjetër arabë të tij nuk shfaqen si vende aleate. Për shembull, Egjipti dhe Jordania, nuk paraqiten si pjesë e bllokut të Izraelit.
Përkundrazi, Egjipti përfshihet në një aleancë të quajtur “Aleanca Diamanti Sunit”, së bashku me Pakistanin, Turqinë dhe Arabinë Saudite. Jordania, e cila ka një traktat paqeje me Izraelin që prej vitit 1994, shënohet si “miqësore” me këtë aleancë.
Prezantimi publik i hartës nga Netanyahu, pritet të shtojë shqetësimet lidhur me mbështetjen e Izraelit për grupet separatiste dhe rrezikun e copëtimit të shteteve të brishta. Në hartë, qeveria në Libinë lindore, e kontrolluar nga Khalifa Haftar, paraqitet si e rreshtuar me Izraelin.
Edhe Këshilli Tranzitor i Jugut në Jemen, një lëvizje separatiste e mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, paraqitet si miqësor me Izraelin dhe Emiratet. Kjo lëvizje u shpërbë në janar të vitit 2026 dhe u rishfaq me emrin Këshilli Tranzitor i Arabisë Jugore.
Në fillim të këtij viti, Izraeli u bë shteti i parë që njohu Somaliland-in, një republikë të vetëshpallur të shkëputur nga Somalia. Sipas disa raportimeve mediatike, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë zgjeruar praninë e tyre ushtarake në këtë territor.
Harta e Netanyahut, tregon se Izraeli e koncepton sigurinë e tij në kuadrin e një hapësire gjeopolitike shumë më të gjerë se bota arabe.
Greqia dhe Etiopia paraqiten si shtete “miqësore” me Izraelin. Ndërkohë Etiopia, ndodhet në prag të një konflikti të hapur ushtarak me Eritrenë. Izraeli prej kohësh ka shfaqur interes për krijimin e një baze ushtarake në Detin e Kuq, siç ka raportuar më parë Middle East Eye.
Në të njëjtën kohë, harta ripohon lidhjet e kahershme mes Hezbollahut, rebelëve huthinj në Jemen dhe Iranit, të cilët paraqiten si pjesë e të ashtuquajturit “Boshti i Rezistencës”. \tesheshi.com\








