Davos 2023 pret elitën botërore mes frikës së recesionit

Vitin e kaluar, pushtimi rus i Ukrainës dominoi diskutimin në Davos. Këtë herë pasojat nga lufta do të zënë sërish skenën qendrore, teksa bota po përballet me një krizë energjie dhe po shkon drejt një recesioni.

Takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, ku marrin pjesë liderë politikë dhe biznesi globalë, të famshëm dhe aktivistë të shquar, po zhvillohet në një kohë kur ekonomia botërore është nën stres ekstrem, e ndikuar nga inflacioni i lartë, një krizë energjetike dhe ndërprerje të tjera të furnizimit të shkaktuara nga lufta dhe një rritja e rasteve të COVID-19 në Kinë.

Në takimin pesë-ditor, do të marrin pjesë mbi 50 krerë shtetesh dhe qeverish. Ndër të ftuarit janë kancelari gjerman Olaf Scholz, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.

Priten gjithashtu disa liderë të zgjedhur së fundmi, duke përfshirë presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, presidentin kolumbian Gustavo Petro dhe presidentin Ferdinand Marcos Jr. të Filipineve.

Shtetet e Bashkuara do të përfaqësohen nga i dërguari i presidentit Joe Biden për klimën, John Kerry dhe përfaqësuesja e tregtisë Katherine Tai.

Nuk do të ketë pjesëmarrje nga Rusia, ndërsa Ukraina do të dërgojë edhe një herë një delegacion të nivelit të lartë. Megjithatë, organizatorët kanë refuzuar të ndajnë detaje të mëtejshme për arsye sigurie.

Rreziku i recesionit

Edicioni i 53-të i takimit të Davosit zhvillohet në mes të një prej ngadalësimeve më të mëdha ekonomike të këtij shekulli, me drejtuesen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, që ka paralajmëruar se një e treta e ekonomisë globale mund të goditet nga një recesion këtë vit.

Konflikti në Ukrainë dhe sanksionet perëndimore kundër Rusisë kanë çuar në një krizë të paprecedentë të energjisë. Ndërsa inflacioni në ekonomitë e përparuara si SHBA dhe eurozona duket se ka arritur kulmin, duke i detyruar bankat qendrore të qëndrojnë në kurs me rritje agresive të normave.

Banka Botërore ka paralajmëruar se kriza aktuale ekonomike mund të shkaktojë rritjen e varfërisë në Afrikën Sub-Sahariane, e cila tashmë është shtëpia e rreth 60% të varfërve ekstremë të botës. /tiranapost