Ballina Kuriozitete Delfinët e Adriatikut ushqehen nga varkat e peshkimit

Delfinët e Adriatikut ushqehen nga varkat e peshkimit

Delfinët e Detit Adriatik janë gjithnjë e më shumë të varur nga varkat e peshkimit për t’u ushqyer. Sipas një studimi të imtësishëm në brigjet italiane të Adriatikut, ekipe të kujdesit dhe ruajtjes së ekosistemeve kanë konstatuar se ata ndjekin 7 nga çdo 10 varka peshkimi, për të siguruar mbijetesën me mbetjet që hidhen në det. Kjo sugjeron se nuk gjejnë mjaftueshëm ushqim në mënyrë natyrale, si pasojë e varfërimit të ujërave.

Kërkuesit italianë i kanë monitoruar gjatë viteve 2018–2025, duke kryer rreth 900 inspektime dhe kanë analizuar të gjitha të dhënat e mbledhura.

Në 76% të rasteve, peshkarexhat ndiqen nga delfinët, të paktën një mijë individë të identifikuar që janë studiuar gjatë këtij harku kohor, dhe nga këta 90% kishin sjellje normale.

Në botën e kafshëve, kur burimet natyrore të ushqimit varfërohen, ato nisin të kërkojnë ushqim pranë vendqendrimeve apo pranisë njerëzore. Në rastin e delfinëve, peshkarexhat janë parë prej tyre si burim ushqimi, pasi habitati nuk ua ofron më.

Kërkuesit hedhin idenë e marrjes së masave për ndalimin e peshkimit për një periudhë në zona të caktuara të Adriatikut, për t’i dhënë mundësi ekosistemit të rindërtohet dhe të ripasurohet me gjallesa.