Ballina Lajmet Kosovë Deputetët e Kuvendit mblidhen sot në tentimin e 38-të për konstituim të...

Deputetët e Kuvendit mblidhen sot në tentimin e 38-të për konstituim të Kuvendit

Vetëm një ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se deputetët janë të detyruar ta përfundojnë seancën konstituive jo më vonë se 30 ditë nga mbajtja e saj, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në përpjekjen e 38-të për konstituim.

Seanca është thirrur për në ora 11:00, me qëllim të zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit – një proces që është zvarritur për muaj të tërë.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kërkojë që votimi për zgjedhjen e kryetarit të zhvillohet në mënyrë të fshehtë, duke e cilësuar këtë si garanci për vullnetin e lirë të deputetëve. Kërkesa po kundërshtohet nga partitë opozitare, të cilat e akuzojnë VV-në për bllokim të procesit dhe për mungesë të vullnetit për kompromis.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka nxitur rritjen e presionit ndaj deputetëve për të përmbushur detyrimet kushtetuese dhe për të zhbllokuar funksionalizimin e Kuvendit dhe të institucioneve të tjera.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse edhe ky tentim do të rezultojë me sukses, apo do të vazhdojë kriza institucionale që ka bllokuar proceset legjislative në vend.