Dera e hyrjes në Islam është thënia e Shehadetit

Shejh Abdulmexhid Zendani

Kushdo që kërkon të hyjë në Islam, duhet të hyjë patjetër nga dera, që simbolizon dy dëshmitë. Kuptimi i dëshmisë së parë: La ilahe il-lallah (S’ka zot tjetër veç Allahut). Kjo dëshmi nënkupton bindjen e atij që e thotë. Pra personi është i bindur dhe plotësisht i sigurt, se kjo gjithësi e ka një Krijues që e krijoi, e bëri të ekzistojë dhe e sistemoi me përpikmëri. Po ashtu ai është i bindur, se Allahu është një Zot i vetëm, që nuk ka shok e as rival dhe Ai është i Vetmi, i Cili meriton të adhurohet dhe askusht tjetër veç Tij. Ai e di gjithashtu, se është një prej krijesave të Allahut dhe është një prej robërve të Tij.

Po kështu thënia e dëshmisë së dytë Muhamed Resulullah (Muhamedi është i Dërguari i Allahut) tregon, se ai që e thotë këtë dëshmi, beson, është i sigurt dhe i bindur se Muhamedi (a.s) është i Dërguar i Allahut, i cili u dërgua me udhëzimet dhe fenë e vërtetë, që përfshin hallallin dhe haramin, gjërat që Allahu i pëlqen dhe gjërat që e zemërojnë, si dhe adhurimin për të cilin Ai na ka urdhëruar që ta kryejmë. Po ashtu, ky person, e di se duke pasuar Muhamedin (a.s) realizon bindjen ndaj Allahut.

Dihet se nëse personi në fjalë nuk i di argumentet e dëshmisë që pohon, atëherë ajo dëshmi nuk është gjë tjetër vetëm se një imitim. Prandaj, atij që hyn në Islam i kërkohet, që hyrja e tij të jetë në formë dëshmie, sepse vetë fjala “dëshmoj” do të thotë, se je i sigurt për atë që thua. Kjo bëhet edhe për t’i tërhequr vëmendjen kujtdo që hyn në Islam, që dëshminë e tij ta ketë të bazuar në argumente dhe të jetë i bindur plotësisht për atë që thotë.

Besimi i imituesit:

Disa dijetarë mendojnë, se besimi i atij që imiton dikë tjetër në besimin e tij, nuk pranohet dhe këtë e argumentojnë me thënien e Allahut të Madhëruar: “Dhe se njeriu nuk do të ketë vetëm atë, për të cilën ka punuar.”[1]

Ata thonë, se imituesi nuk ka punuar për të fituar besimin e tij dhe nuk është përpjekur për të, prandaj besimi i tij nuk merret në konsideratë, sepse nëse ai – i cili imitohet – heq dorë nga besimi, atëherë edhe imituesi i tij do ta braktisës besimin.

Në fakt, shumica e dijetarëve nuk janë të këtij mendimi, por thonë: Besimi i imituesit pranohet, sepse besimi ekziston në thelbin e njeriut dhe në natyrën e tij, që kur ai u krijua dhe imituesi në të vërtetë imiton diçka që ai e ka pasur në vetvete.

Njeriu është mysliman në natyrën e tij dhe argument për këtë është fjala e Allahut të Madhëruar: “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit.”[2]Profeti (a.s) ka thënë: “Çdo foshnje lind në natyrën islame, kurse prindërit e bëjnë atë ose çifut, ose të krishterë ose mexhus (adhurues të zjarrit).”[3]

Sidoqoftë, të gjithë dijetarët thonë: Mësimi i argumenteve dhe njohja e gjërave që të çojnë deri tek besimi është obligim dhe detyrë parësore e çdo besimtari. Allahu i Madharuar thotë: “Atëherë dije se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, kërko falje për mëkatin tënd, e të besimtarëve, Allahu e di për lëvizjet tuaja dhe për vendin tuaj.”[4] Po ashtu, Allahu i Madhëruar në një ajet tjetër thotë: “A është i njëjtë ai që e di, se ajo që t’u shpall ty nga Zoti yt është e vërtetë, si ai që është i verbër? Vetëm njerëzit e arsyeshëm, që kanë mendje të shëndoshë, e kuptojnë të vërtetën.”[5]

Autor: Abdulmexhid Zendani

[1] – Sure Nexhm: 39

[2] – Sure Rum: 30.

[3] – Buhariu dhe Muslimi.

[4] – Sure Muhamed: 19.

[5] – Sure Ra’d: 19