Dëshmitari sirian: Ushtarët e regjimit të rrëzuar hidhnin çdo ditë trupa në varret masive në Damask

Ahmet Accan, i cili jeton në një shtëpi përballë varrezave në lagjen Husayniye të Damaskut, kryeqyteti i Sirisë, u shpjegoi gazetarëve të Agjencisë Anadolu (AA) ngjarjet që ka dëshmuar në varrezat masive.

Si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të kërkimit në gjithë vendin pas rrëzimit të regjimit të Bashar Asadit, më 15 dhjetor, një varrezë masive u gjet në rajonin Husayniye, menjëherë pas aeroportit të Damaskut në juglindje të kryeqytetit, ndërsa varrezat u filmuan nga ekipet e AA-së.

Siriani 26-vjeçar Accan, i cili jeton në një shtëpi përballë varrezave, i tha ekipit të AA-së se ai dhe babai i tij janë dëshmitarë kur forcat e regjimit i varrosnin në mënyrë masive trupat e shumtë që i sillnin këtu.

Accan deklaroi se në vitin 2011, kur nisën demonstratat paqësore në Siri, ai dhe babai i tij kanë parë një automjet me një karroceri ftohëse që vinte në zonë çdo ditë, se dy persona zbritnin nga këto automjete dhe i hidhnin kufomat njëra mbi tjetrën, ndërsa më pas vinte një mjet gërmues që i varroste trupat në një gropë shumë më të madhe se tani.

Ai shpjegoi se regjimi i rrëzuar e largoi me dhunë familjen e tij nga ky rajon gjatë luftës civile dhe se ata nuk mund të ktheheshin në fshatin e tyre për tre vjet. “Kur u kthyem, pamë që në vend të një automjeti, në ditë po vinin 4-5 të tillë. Shikuam që makineritë e ndërtimit kryenin natën punime për hapje të varreve”, shtoi Accan.

Accan tha se nëna e tij mendon se vëllai i tij i cili u arrestua nga njësitë e sigurisë në Damask në vitin 2016 dhe për të cilin në vitin 2017 zbuluan që ishte në burgun Sednaya, është varrosur gjithashtu këtu. “Çdo ditë del në çati dhe i këndon Fatiha shpirtit të tij. Zemra e saj e ndien se ai është këtu”, shtoi ai.

Duke vënë në dukje se policia ushtarake lëshoi ​​certifikatën e vdekjes së vëllait të tij tre vjet pas arrestimit, Accan deklaroi: “Bëra disa kërkime dhe mësova se ai jetoi vetëm shtatë muaj e 25 ditë pas datës së arrestimit”.

Ekipet e AA-së më parë kanë filmuar varrezat masive në zonën Husayniye dhe atë të Urës së Bagdadit në Damask.

– Zhvillimet në Siri

Më 27 nëntor, në Siri u intensifikuan përleshjet midis grupeve të armatosura kundër regjimit dhe forcave të Bashar Asadit.

Midis 30 nëntorit dhe 7 dhjetorit, grupet e armatosura kundër regjimit fituan dominim në provincat më të mëdha si Halep, Hama dhe Homs.

Regjimi humbi plotësisht kontrollin në Damask dhe shumë rajone të tjera dhe u rrëzua edhe me mbështetjen masive të popullit për grupet që filluan të hyjnë në Damask më 7 dhjetor.

Ndërsa sundimit 61-vjeçar të partisë Baath i erdhi fundi, udhëheqësi i regjimit, Asad, u largua nga Siria dhe tani ndodhet në Moskë, Rusi.

Ushtria Kombëtare Siriane (SNA) në ditën e parë të operacionit “Agimi i Lirisë” që filloi në dhjetor, çliroi nga organizata terroriste PKK/YPG qendrën e rajonit Tel Rifat.

Në operacion, me çlirimin edhe të rajonit Munbixh, u pastrua nga organizata terroriste PKK/YPG zona e cila ishte kthyer në folenë më të madhe të terrorit në perëndim të Lumit Eufrat.