Ballina Artikuj Dëshmo, o histori…

Dëshmo, o histori…

Dëshmo o histori, se sërish toka e shenjtë po qan,

nën hijen e bombave, mbi gjakun e fëmijëve të pafajshëm.

Dëshmo o histori, se krimet nuk bëhen vetëm me armë,

por edhe me heshtje, me nënshkrime, me dorëzime me buzëqeshje.

Se ka nga ata që e shesin ndërgjegjen për privilegje,

që i shtrijnë duart vrasësve dhe i quajnë “aleatë strategjikë”.

Dëshmo o histori, për bashkëpunëtorët që i japin Izraelit mbulesën morale,

që duartrokasin mbi gjakun e martirëve dhe e quajnë “paqe normale”.

Për ata që ndërtojnë ambasada mbi rrënojat e shtëpive të shembura,

dhe heshtin kur gratë varrosin bijtë me duart e tyre të drobitura.

Dëshmo o histori, se nuk do të ketë drejtësi pa kujtesë,

se çdo fjalë e thënë në mbrojtje të krimit, është bashkëpjesëmarrje në krim.

Se çdo lider që kthen kokën andej nga pushtuesi me servilizëm,

ka humbur jo vetëm besimin e popullit, por edhe nderin dhe dinjitetin njerëzor.

Dëshmo o histori, se për çdo fëmijë që u vra me zë në buzë,

do të ketë një poet që do ta shkruajë emrin e tij në gurë të pavdekshëm.

Se për çdo bashkëpunëtor që e fshehu të vërtetën nën flamuj mashtrimi,

do të ketë një brez që do ta nxjerrë në shesh, pa frikë, pa harresë, pa mëshirë.

Dëshmo o histori…….

Nga ky soj ka edhe te ne…..

Autor: Behar Kaçeli