Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka njoftuar se që nga nesër, familjet të cilat nuk e kanë marrë subvencionin për muajt dhjetor dhe janar, si dhe përfituesit e muajit shkurt, do të mund ta përfitojnë atë.
“Nga nesër, qytetarët që kanë plotësuar kriteret dhe nuk e kanë pranuar subvencionin për muajt dhjetor dhe janar, si dhe të gjithë përfituesit për muajin shkurt, do të mund të përfitojnë subvencionin direkt në faturat e tyre, në kuadër të Programit për Subvencionimin e Energjisë Elektrike për Familjet e Cenueshme”, thuhet në njoftim.
Programi për Subvencionimin e Energjisë Elektrike për Familjet e Cenueshme synon lehtësimin e shpenzimeve për energji elektrike për familjet më në nevojë, duke u mundësuar atyre të përballojnë më lehtë kostot e konsumit të energjisë.
Ky është një hap i rëndësishëm për të mbështetur familjet më të cenueshme në vend dhe për t’u siguruar që asnjë familje nuk mbetet pas në përballimin e faturave të energjisë.








