Dialogu i Ibrahimit (a.s) me të atin: urtësia e thirrjes dhe elokuenca e ligjërimit (1/3)

Dr. Ali Salabi

Gjatë leximit të Kur’anit Fisnik, dhe teksa ndalemi në jetën e Ibrahimit (a.s.), përballemi me një nga skenat më madhështore të thirrjes që ky Libër hyjnor e ka përmendur dhe përjetësuar: dialogun e mikut të Allahut, Ibrahimit (a.s.) me të atin. Një dialog që bashkon pastërtinë e besimit me butësinë e ligjërimit, fuqinë e argumentit me ndjeshmërinë e zemrës. Ibrahimi (a.s) paraqiti një model unik të thirrësit që ndërthur urtësinë me butësinë, duke e nisur thirrjen e tij me një thirrje plot dashuri: “O ati im!”, e më pas parashtroi argumente të qarta që rrëzojnë adhurimin e idhujve, përmes një stili racional, të qetë, që prek natyrshmërinë e pastër njerëzore. Meditimi mbi këtë dialog na zbulon metodologjinë e profetëve në sqarimin e së vërtetës dhe mënyrën se si këshilla duhet të jepet me durim, butësi, edukatë dhe sinqeritet.

Allahu i Lartësuar thotë: “O ati im, përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh dhe as nuk të sjell kurrfarë dobie?”[1]

Profeti Ibrahim (a.s.) i drejtohet të atit me fjalë që tronditin ndjenjat e dëgjuesve dhe prekin zemrat e tyre me një mënyrë tërheqëse, bindëse dhe nënshtruese, përmes shprehjeve më të buta e më elokuente, duke përmbledhur në to përkëdheljen, afrimin gradual, butësinë në polemikë dhe argumentim, edukatën e lartë dhe moralin e hijshëm.

Në këto ajete fisnike jetojmë me mikun e Allahut – paqja qoftë mbi të – teksa në dialogon e tij me të atin, vërejmë se ai e këshillon dhe ia rrëzon bindjen e tij të gabuar me edukatë, respekt, urtësi dhe butësi.

Ai e nisi këshillimin dhe udhëzimin e të atit me thirrjen: “O ati im!”, një thirrje plot butësi dhe dashuri, me të cilën synonte ta zbuste zemrën e tij dhe ta afronte. Shkronja “t” në fjalën “ebeti” është zëvendësim i “ja”-së së vetës së parë dhe përdorimi i saj në vend të saj përbën një theksim të veçantë të butësisë dhe përkëdheljes.

Ai e thirri të atin edhe pse ishte pranë tij, për t’ia tërhequr vëmendjen, për ta zgjuar shpirtërisht dhe për ta përgatitur mendërisht që t’i drejtohej me vetëdije dhe përqendrim. Ibrahimi (a.s.) përdori mjetin e thirrjes “O”, i cili zakonisht përdoret për të largëtin, ndonëse i ati ishte afër tij, për t’i dhënë ndjesinë e lartësisë së pozitës së tij dhe për t’ia ngritur vendin në zemrën e të birit. Ai e përsëriti thirrjen “O ati im!” katër herë – një thirrje që e prek çdo baba, e zbut dhe e kënaq – sepse ajo përmban butësi, afeksion, lehtësi dhe tërheqje. Iu drejtua me përshkrimin e atësisë, duke nënkuptuar kështu se këshilla e tij ishte e sinqertë dhe e pastër.

Pas kësaj përgatitjeje psikologjike të mrekullueshme, ai i parashtroi të atit argumentin për adhurimin e tij të pasaktë, në formën e një pyetjeje rreth arsyes së këtij veprimi të gabuar: “O ati im, përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh dhe as nuk të sjell kurrfarë dobie?” Ai e nisi dialogun me argumentin që i drejtohet shqisave, duke e pyetur për arsyen që e shtyu të adhuronte një idhull prej guri, të cilin e përshkroi me tri cilësi të qortuara: e para, nuk dëgjon; e dyta, nuk sheh; e treta, nuk sjell asnjë dobi.

Vëre zgjuarsinë e thirrësit drejt Allahut, Ibrahimit (a.s.), teksa mundohet të hedhë poshtë besimin e gabuar të atit të tij në idhuj, duke i përshkruar ata me cilësi që rrëzojnë çdo pretendim për hyjni. Nëse ata as nuk dëgjojnë, as nuk shohin, as nuk i sjellin dobi atij që i adhuron dhe as nuk i dëmtojnë ata që i kundërshtojnë, çfarë vlere ka adhurimi i tyre? Nëse lutja është thelbi i adhurimit, e idhulli nuk e dëgjon lutjen e lutësit, atëherë ç’dobi ka adhurimi i tij? Nëse ai nuk sheh atë që i afrohet, ç’dobi ka ky afrimitet? Madje, nëse nuk sheh as atë që e madhëron, as atë që e përçmon dhe e dëmton, çfarë përfitimi ka adhurimi i tij dhe çfarë dobie ka për adhuruesin? Nëse ai as nuk sjell dobi, as nuk shkakton dëm, atëherë nuk ka as shpresë për përfitim, as frikë nga dëmi. Ç’dobi ka adhurimi i asaj që nuk është e aftë as të mbrojë veten nga thyerja dhe shkatërrimi, siç veproi më vonë me ta vetë Ibrahimi (a.s.)? Çfarë mbrojtjeje mund t’u ofrojnë këta idhuj atyre që u drejtohen?

Ibrahimi (a.s.) iu drejtua të atit përmes një pyetjeje që përmban habi dhe qortim për atë që adhuron një idhull apo statujë që nuk zotëron asgjë as për veten e vet, as për adhuruesin e saj. Domethënë: përse adhuron idhuj të mangët në vetvete dhe në veprat e tyre, që as nuk dëgjojnë, as nuk shohin dhe as nuk zotërojnë dobi apo dëm për adhuruesin e tyre, madje as për veten e tyre? Ky është një argument i qartë që dëshmon se adhurimi i të mangëtit në qenien dhe veprimin e tij është i papranueshëm si nga arsyeja, ashtu edhe nga sheriati, dhe njëkohësisht tregon se ai që meriton të adhurohet është Ai që posedon përsosmërinë absolute, prej të Cilit robërit nuk marrin asnjë mirësi veçse prej Tij dhe nga i Cili nuk largohet asnjë fatkeqësi veçse prej Tij.

Parimi themelor i adhurimit është që njeriu t’ia drejtojë atë Atij që është më i lartë se njeriu, më i ditur dhe më i fuqishëm, duke e ngritur adhurimin në një shkallë më të lartë se ajo njerëzore.

Adhurimi duhet t’i kushtohet Atij që e ka krijuar njeriun dhe të gjitha krijesat, Atij që ka në dorë dobinë dhe dëmin, shpërblimin dhe ndëshkimin. Është transmetuar nga Omer ibn Hatabi (r.a) se ai erdhi te Guri i Zi, e puthi dhe tha: “Unë e di se ti je vetëm një gur, nuk dëmton dhe nuk sjell dobi; po të mos e kisha parë të Dërguarin e Allahut (a.s) duke të puthur, nuk do të të puthja.”[2]

Adhurimi është kulmi i madhërimit dhe nuk i takon askujt përveç Atij që ka kulmin e mirësive: Krijuesit, Furnizuesit, të Plotfuqishmit, Dhënësit të jetës dhe Marrësit të saj, Atij që i përkasin emrat më të bukur dhe cilësitë më të larta. Prej Tij burojnë themelet dhe degët e çdo mirësie, dhe vetëm Ai, i Lartësuari, është i denjë për adhurim.

Adhurimi përkufizohet si bindja e robit ndaj të Adhuruarit në urdhrat dhe ndalesat e Tij. Ata që adhurojnë dikë tjetër përveç Allahut – idhull, statujë, diell apo hënë – a i kanë krijuar këta adhuruesit e tyre, apo kanë krijuar diçka? A i kanë furnizuar ata, apo kanë furnizuar dikë tjetër? Çfarë i kanë urdhëruar dhe nga çfarë i kanë ndaluar? Çfarë kanë përgatitur për ata që i adhurojnë dhe çfarë për ata që i kundërshtojnë? Cili është sistemi dhe metodologjia që kanë sjellë, që të meritojnë adhurimin? Përgjigjja është: asgjë nga këto nuk ekziston. Pra, adhurimi i tyre është i pavlefshëm.

Miku i Allahut, Ibrahimi (a.s.), ndoqi në thirrjen e të atit rrugën më të bukur dhe më elokuente. Ai filloi me ato argumente bindëse që e pastrojnë zemrën e tij nga madhërimi i idhujve, duke ia sqaruar se ata nuk meritojnë asgjë nga adhurimi dhe madhërimi për shkak të ngurtësisë, paaftësisë dhe dobësisë së tyre: nuk dëgjojnë, nuk shohin, nuk sjellin dobi dhe nuk largojnë asnjë dëm. Më pas ia tërhoqi vëmendjen të atit drejt asaj me të cilën Allahu e kishte nderuar dhe favorizuar – pejgamberinë – duke e përsëritur thirrjen me përshkrimin e atësisë, për shkak të butësisë dhe afrimit që ajo përmban.

Autor: Ali Muhamed Salabi

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Merjem: 42.

[2] – Buhariu dhe Muslimi.