Dikur konsumi i mishit të breshkës konsiderohej delikatesë, sot pas saj ‘ha burgun’

Në Ekuador ka nisur një hetim për gjuetinë ndaj katër breshkave gjigante të ishullit të Galapagos. Për këto breshka dyshohet se janë vrarë dhe më pas janë ngrënë. Mbetjet e breshkave u gjetën në një park kombëtar në Isabela, ishulli më i madh i arkipelagut Galapagos.

Breshkat gjigande të Galapagos bëjnë pjesë në grupin e kafshëve të mbrojtura, për këto kafshë të rrezikuara gjuetia është e ndaluar që nga viti 1933, por më shumë se një duzinë janë gjuajtur në dy vitet e fundit.

Dikur të përdorje për ushqim mishin e breshkës konsiderohej delikatesë dhe tregonte një rang më të lartë shoqëror, ndërsa tani ata të cilët konsumojnë mishin e tyre mund të përballen me tre vite burg.

Sipas informacioneve, kjo nuk është hera e parë që këto breshka bëhen viktimë e gjuetisë së paligjshme. Në shtator të vitit 2021, rojet e parkut gjetën mbetjet e 15 breshkave gjigante të Sierra Negra në Isabela.

Fotot e zhguajve të tyre bosh u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale dhe shkaktuan zemërim në Ekuador pjesë e të cilit janë edhe ishujt Galapagos.

Dëshmitë e mbledhura në atë kohë sugjeruan që 15-të ishin gjuajtur për mishin e tyre dhe zbulimi i fundit i mbetjeve të katër kafshëve të tjera ka rindezur frikën se praktika vazhdon pavarësisht ndalimit total të gjuetisë.

Hetimet për këtë ngjarje po vazhdojnë dhe një njësi e specializuar në krimet mjedisore po mbledh dëshmi nga agjentët e parkut kombëtar.

Breshkat gjigante të Galapagos kanë një jetëgjatësi prej më shumë se 100 vjetësh dhe u bënë të famshme nga Charles Darvin. Në anijen me të cilën lundroi Darvini, The Beagle, u futën 30 breshka të gjalla në udhëtimin e gjatë nga Galapagos në Polinez, fatkeqësisht ekuipazhi i anijes vrau dhe hëngri shumicën prej tyre. Aktualisht ka rreth 15,000 breshka gjigante në botë, krahasuar me 200,000 në shekullin e XIX-të./tvklan