Diplomatët iranianë largohen nga Ambasada në Tiranë

Diplomatët iranianë të enjten kanë braktisur ndërtesën e Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit dhe janë nisur për aeroportin kryesor shqiptar të Rinasit, pas urdhrit të Qeverisë shqiptare që ta lëshojnë Shqipërinë për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve.

Vendimi për dëbimin e diplomatëve iranianë u shpall nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pasi akuzoi Iranin për “agresion shtetëror” ndaj Shqipërisë për sulmin kibernetik ndaj infrastrukturës qeveritare dhe shërbimeve digjitale gjatë muajit korrik.

Ky është rasti i parë që një shtet ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me një shtet për shkak të sulmeve kibernetike dhe hera e parë që një shtet anëtar i NATO-s zyrtarisht fajëson Iranin për organizim të një sulmi kibernetik.

Diplomatët iranianë kanë djegur dokumentet e tyre disa orë para se të largoheshin nga Shqipëria.

Forcat speciale të njësisë anti-terror të Shqipërisë janë parë duke u futur në ambientet e Ambasadës iraniane në Tiranë për të kryer kontrolle pas largimit të diplomatëve nga ndërtesa.

Shqipëria njëherësh nga viti 2016 është shtëpi e rreth 3.000 anëtarë të organizatës MEK, të cilët strehohen në Durrës pas kërkesës së parashtruar nga Shtetet e Bashkuara. Zyrtarët e Iranit i konsiderojnë terroristë anëtarët e këtij grupi. Pjesëtarët e këtij grupi këtë vit janë vizituar nga ish-zyrtarë të administratës amerikane, Mike Pompeo dhe Mike Pence.

Veprimi i Shqipërisë për ta ndëshkuar Iranin dhe ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me të është përshëndetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

Shtëpia e Bardhë ka dënuar veprimet e dyshuara të Iranit dhe ka paralajmëruar për “veprime të mëtejme” për sulmin “e pashembullt” kibernetik ndaj një shteti të NATO-s.

Britania e Madhe përmes një reagimi zyrtar ka dënuar sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë duke deklaruar se Qendra Kombëtare për Sigurinë Kibernetike ka vlerësuar se “akterë kibernetikë të lidhur me shtetin iranian janë pothuajse plotësisht përgjegjës për një sërë sulmesh ndaj infrastrukturës së Qeverisë shqiptare të cilat patën ndikim të rëndësishëm ndaj shërbimeve publike digjitale dhe faqet e internetit qeveritare”.

“Veprimet e pamatura të Iranit treguan shkelje të pacipë ndaj qytetarëve shqiptarë duke e kufizuar seriozisht mundësinë e tyre që të kenë qasje ndaj shërbimeve esenciale publike”, tha James Cleverly, sekretar i Jashtëm britanik.

“Britania e Madhe përkrah partnerin tonë të vlefshëm dhe aleatin e NATO-s. I bashkohemi Shqipërisë dhe aleatëve të tjerë në ekspozimin e veprimeve të papranueshme të Iranit”.

Sipas zyrtarëve shqiptarë, katër grupe iraniane janë organizuar për sulmin kibernetik në Shqipëri, “ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar”.

Shqipëria, në muajin korrik, ka qenë cak i një sulm të madh kibernetik, i cili paralizoi të gjitha faqet qeveritare, përfshirë platformën e shërbimeve online e-Albania, përmes së cilës qytetarët pajisen me shumicën e dokumenteve.

Pas këtij sulmi kibernetik, Ambasada amerikane në Shqipëri ngriti alarmin për një kërcënim të mundshëm, që thuhej se kishte për cak një samit të organizuar nga opozita e Iranit në mërgim. Ky samit ishte planifikuar të mbahej në Durrës më 23 dhe 24 korrik.

Samiti ishte paraparë të organizohej nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), që të dyja grupe që avokojnë përmbysjen e Qeverisë së Iranit.

Ministria e Jashtme e Iranit ka mohuar se Teherani ka qenë mbrapa ndonjë sulmi kibernetik ndaj faqeve të Qeverisë së Shqipërisë. /rel