Diplomati dhe politikani bullgar Nikolay Mladenov pritet të emërohet drejtor i “Bordit të Paqes për Rripin e Gazës”, një strukturë e propozuar nga Presidenti amerikan Donald Trump, raportojnë mediat izraelite dhe amerikane.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pas një takimi që ai zhvilloi të enjten në Jerusalem me Mladenovin. Zyra e Netanyahut publikoi një deklaratë zyrtare dhe pamje video nga takimi, ku thuhet se “Kryeministri Benjamin Netanyahu u takua sot në Zyrën e Kryeministrit në Jerusalem me Nickolay Mladenov, i cili pritet të bëhet Drejtor i Bordit të Paqes për Rripin e Gazës”.
Në deklaratë shtohet se Netanyahu “përsëriti se Hamasi duhet të çarmatosej dhe Rripi i Gazës të demilitarizohej, në përputhje me planin 20-pikësh të Presidentit Trump”.
Gazeta izraelite Haaretz raportoi se nuk ka ende një konfirmim zyrtar nga Uashingtoni, megjithatë një zyrtar i lartë amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, konfirmoi se Mladenov është zgjedhja kryesore e Trump për këtë post. Edhe Associated Press (AP) citoi një zyrtar amerikan që konfirmoi emërimin.
Ish-i dërguar i OKB-së
Mladenov, 53 vjeç, është ish-ministër i Mbrojtjes dhe i Punëve të Jashtme të Bullgarisë. Ai ka shërbyer si i dërguar special i Kombeve të Bashkuara për Irakun nga viti 2013 deri në 2015, dhe më pas si i dërguar i OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme nga viti 2015 deri në 2020.
Sipas Haaretz, gjatë mandatit të tij si i dërguar i paqes, Mladenov “punoi shpesh për të ulur tensionet mes Izraelit dhe Hamasit”.
Aktualisht, Mladenov është i bazuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku drejton Akademinë Diplomatike Anwar Gargash. Ai mban një diplomë master në Studime të Luftës dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, raportoi AP.
Figurë e pranuar nga të dyja palët
Milen Keremedçiev, ish-diplomat bullgar dhe ekspert për politikën e Lindjes së Mesme, tha për AP se “Bullgaria prej kohësh është perceptuar si një vend i moderuar, që ka shmangur ekstremet në këtë konflikt veçanërisht të ndjeshëm”.
Ai shtoi se Mladenov mbajti një qasje të balancuar ndaj Lindjes së Mesme gjatë mandatit të tij si ministër i Jashtëm, një qasje që, sipas tij, “u prit pozitivisht si nga bota arabe ashtu edhe nga Shteti i Izraelit”.
Në të njëjtën linjë, diplomati izraelit në pension Alon Bar, ish-zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Izraelit për çështjet e OKB-së, deklaroi për AP se Mladenov “arriti të krijojë një marrëdhënie besimi me nivelet e larta politike në Izrael, përfshirë kryeministrin Netanyahu”, duke shtuar se “në të njëjtën kohë, ai krijoi shumë besim edhe në anën palestineze”.
Të premten, Mladenov u takua në Ramallah me Hussein Al Sheikh, nënkryetar i Palestinës dhe zëvendëskryetar i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO).
Plani i Trump për Gazën
Presidenti Trump prezantoi më 29 shtator 2025 një plan 20-pikësh për përfundimin e luftës shkatërrimtare në Gaza. Plani parashikon armëpushim, lirimin e pengjeve izraelite, tërheqjen e Izraelit nga Gaza, krijimin e një administrate teknokrate, vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi dhe çarmatimin e Hamasit.
Agjencia turke Anadolu raportoi, duke cituar Times of Israel, se Trump pritet të shpallë fazën e dytë të planit të tij për Gazën javën e ardhshme, pavarësisht rezervave të raportuara nga Izraeli. Kjo fazë pritet të përfshijë krijimin e një “këshilli paqeje” dhe strukturave të tjera qeverisëse për administrimin e Gazës pas një periudhe tranzitore.
Bilanci i viktimave
Pavarësisht armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA që hyri në fuqi në tetor të vitit të kaluar, Izraeli ka vrarë 439 palestinezë dhe ka plagosur mbi 1.000 të tjerë. Që nga nisja e ofensivës izraelite dy vjet më parë, bilanci total ka arritur në 71.409 të vrarë dhe 171.304 të plagosur në Rripin e Gazës. /mesazhi






