“Ajo që po ndodh kundër vendit tim është një akt i qartë agresioni”, thotë Amir Saeid Iravani i Iranit.
I dërguari i Iranit në OKB të shtunën kritikoi ShBA-në dhe Izraelin për zhvillimin e një “lufte kundër Kartës së Kombeve të Bashkuara” gjatë një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ambasadori iranian, Amir Saeid Iravani, tha se Teherani kishte paralajmëruar vazhdimisht për “deklarata luftënxitëse dhe veprime ndërhyrëse në punët e brendshme të Iranit nga Presidenti i SHBA-së.”
“Ne kemi komunikuar në disa raste me këtë Këshill dhe me Sekretarin e Përgjithshëm lidhur me deklaratat luftënxitëse dhe veprimet ndërhyrëse në punët e brendshme të Iranit nga Presidenti i ShBA-së, në shkelje të hapur të Kartës së OKB-së dhe të së drejtës ndërkombëtare, dhe kemi kërkuar veprim nga Këshilli; fatkeqësisht, të gjitha mbetën pa përgjigje,” tha ai.
Iravani theksoi se “ajo që po ndodh kundër vendit tim është një akt i qartë agresioni. Është një agresion i hapur i armatosur kundër Republikës Islamike të Iranit.”
“Lufta e sotme e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit nuk është thjesht një luftë kundër Iranit. Është një luftë kundër Kartës së Kombeve të Bashkuara, një luftë kundër së drejtës ndërkombëtare dhe një luftë kundër rendit juridik ndërkombëtar,” shtoi ai.




