Dita e Kiametit dhe popujt e shkatërruar në këndvështrimin e kaptinës El-Kamer

Dr. Valmire Batatina Krasniqi

Kaptina “El-Kamer” paralelisht me karakteristikat e përgjithhme të sureve mekase, e përbërë nga vetëm 55 ajete, ngërthen tematika të larmishme në vetveten e saj. Ndër tematikat më të rëndësishme janë çështjet e besimit, me theksim në besimin në botën e ardhshme (Ahiretit), afrimi i çastit të shkatërrimit të përgjidshëm të kësaj ekzistence dhe rrëfimi i disa fragmenteve të këtij fenomeni që janë përshkruar me një stil mbresëlënës.

Po ashtu kjo kaptinë që nga fillimi deri në fund vë në pah disa karakteristika thelbësore të popujve të lashtë dhe masat ndëshkuese ndaj tyre me një përshkrim të trishtueshëm. Këto masa ndëshkuese janë të rëndësishme për nga karakteri i historisë njerëzore për shkak se hapin horizontin e konceptimit të mentalitetit të përgjithshëm të individëve të një shoqërie të gjykuar me shkatërrim. Pra kaptina “El-Kamer” në kuptim të gjerë përcjell mesazh besimi dhe paqeje te besimtarët, që është më se i nevojshëm për zhvillimin e tyre shpirtëror dhe moral, ndërsa për mohuesit dhe përgënjeshrruesit e së vërtetës përmban mesazhe qortuese.

Lidhmëria e kësaj kaptine me kaptinën paraprake dhe kaptinën pas saj

Se ekziston një harmoni dhe një lidhshmëri e bukur dhe e ngushtë në mes kaptinës “El-Kamer” dhe “En Nexhm” mund të vërehet qartë në radhitjen e tyre kuranore. Kaptina “En Nexhm” përfundon rrëfimin me përshkrim të fuqisë së Zotit që manifestohet në jetën dhe vdekjen e njerëzve, në krijimin e çdo qenieje në dy gjini dhe në afrimin e shkatërrimit të përgjithshëm (kiametit).(1) Ndërsa, kaptina “El-Kamer” në fillim rrëfen afrimin e shkatërrimit të përgjithshëm; pra fundin e botës, e cila shprehet si një paralajmërim për politeistët. Rrëfimin e vazhdon me përshkrimin e fuqisë së Zotit që manifestohet me mrekullinë e ndarjes së hënës në dy,(2) e që njihet si një nga mrekullitë e Profetit Muhamed a.s., të regjistruar në shumë transmetim e autentike të shokëve të tij. Një nga anët me të cilat paraqitet lidhmëria ndërmjet këtyre dy kaptinave, e që është aq e dukshme dhe mbresëlënëse, sikurse lidhja ndërmjet yjeve dhe hënës, është harmonia në ernërtimet e tyre. Përveç kësaj, populli i Adit, Themudit dhe Nuhut a.s., të cilët u shkatërruan si rezultat i përgënjeshtrimit të pejgamberëve, përbuzjes dhe mohimit të rrëfyera në kaptinën “En Nexhrn”,(3) shihet që zënë vend edhe në kaptinën “El-Kamer”.
Kaptina “Err Rrahman”, që në radhit jen kuranore pason kaptinën “El- Kamer”, e shton edhe më shumë madhështinë e lidhmërisë së këtyre kaptinave ndërmjet vete. Duket sikur e gjithë kaptina “Err Rrahman” është vazhdim dhe shpjegim i vargjeve të fundit të kaptinës “El-Kamer”. Në kaptinën “El-Kamer”, pas prezantimit të masave ndëshkuese kundër popujve te lashtë, u drejtohet idhujtarëve mekas, duke u përcjellë mesazhin se vazhdimi i tyre me mohim, do të rezultojë me pësimin e tyre në këtë botë, kurse tmerri që i pret në botën tjetër do të jetë shumë më i rëndë. Përfundimi i kaptinës “El-Kamer” me përshkrimin e fundit fatlum të atyre që besuan dhe u ruajtën prej të ligave përshkruhet gjerësisht edhe në kaptinën “Err Rrahman”. Siç shihet në këto kaptina të renditura njëra pas tjetrës flitet rreth çështjes së besimit, afrimit të shkatërrimit të përgjithshëm, disa karakteristikave thelbësore të popujve të lashtë dhe përfundimit famëkeq të tyre, po ashtu përmendet edhe përfundimi i ndritshëm i atyre që besuan dhe u larguan nga punët e liga.
Referimi i kaptinës “El-Kamer”
Rrëfimet në Kuranin fisnik nganjëherë trajtohen në mënyrë të përgjithshme e nganjëherë sillen në kushtim të veçantë. Duke u bazuar në këtë, kaptina “El-Kamer” fillon rrëfimin me afrimin e shkatërrimit të përgjithshëm; pra Ditës së Kiametit dhe i referohet politeistëve me dëshminë e ndarjes së hënës në dysh si argument për ta, edhe pse nuk e besuan duke pretenduar se ajo ishte një magji dhe vazhduan me mohim e blasfemi.(4) Më pas, Allahu i Madhëruar tregon faktin se politeistëve u është ofruar e vërteta (Kurani) për t’i nxjerrë nga errësira në dritë me aso lajmesh (të popujve të lashtë), ku ka mjaft këshilla për ata që kuptojnë. Meqë paralajmërimet në asnjë mënyrë nuk i ndriçuan zemrat e tyre dhe vazhduan me kokëfortësi në mohim, Allahu i Madhëruar zbriti ajetin “Pra, largohu prej tyre … ” me të cilin urdhëron të Dërguarin e Tij që duke u larguar prej tyre të presë dënimin që Ai u përgatiti atyre.
Përshkrimi i Ditës së Kiametit në kaptinën “El-Kamer”
Kiameti apo shkatërrimi i përgjithshëm në literaturën islame është përkufizuar si një periudhë që fillon me ringjalljen e të vdekurve pas ndryshimit të madh që do të ndodhë në sistemin kozmik me të cilin është e lidhur bota dhe që vazhdon deri në pafundësi.(5) Edhe pse nuk ka të dhëna se kur do të ndodhë saktësisht, në Kuran flitet shumë rreth ndodhisë së kiametit dhe thuhet se do të vijë papritur dhe se njerëzit duhet të jenë gjithmonë të gatshëm për të. Duke qenë se rrëfimi i përgjithshëm në kaptinën “El-Kamer” është ndërlidhja e elementeve të kiametit me njëra-tjetrën, ato përshkruhen në dy fragmente të përgjithshme. Fragmenti i parë me të cilin fillon përshkrimi i ditës së fundit; pra, vargu “U afrua ora”(6) po aq sa është i shkurtër dhe i shpejtë është edhe në harmoni me ritmin i cili mbizotëron në kaptinë. Kjo harmoni mbresëlënëse përshkruan shumë seri që ndjekin njëra-tjetrën në intervale të afërta, si dhe skena të gjalla dhe prekëse. Qëllimi i fillimit të kaptinës me këtë paralajmërim sipas Tantaviut është t’u kujtojë njerëzve për fragmentet e vështira të Ditës së shkatërrimit të përgjithshëm dhe t’i inkurajojë ata që të përgatiten për atë ditë në një mënyrë të duhur me besim dhe vepra të mira.(7) Më pas rrëfimi vazhdon me faktin që edhe pse Kurani është dituri e këshillë e përsosur, nuk u bën dobi arrogantëve të cilët këmbëngulin në mohim dhe mosmirënjohje ndaj Zotit dhe të përzgjedhurve të Tij. Ata janë për të cilët thuhet se kur Israfili thërret për ringjallje, do të dalin prej varreve si karkalecat që nuk kanë ndonjë orientim të caktuar në qarkullim. Përshkrimi i këtij fenomeni të paparë dhe të vështirë përfundon me fjalët: “Kjo është ditë e vështirë”,(8) pra ajo është ditë e vështirë për mohuesit.
Fragmenti i dytë në të cilin përshkruhet kiameti është ndëshkimi përfundimtar i mohuesve: “Por jo, afati i tyre është kiameti, e kiameti është edhe më i vështirë, edhe më i hidhur.”(9) Pra kjo lë të nënkuptojë se ata që mohuan dhe vazhdojnë të kundërshtojnë tregimet e popujve të mëparshëm të dënuar me përmbytje, klithma, erëra, rrufe etj., do të kenë një dënim më të ashpër dhe më të tmerrshëm se sa këto shkatërrime. Ata që kundërshtojnë Allahun dhe profetët e Tij janë në një huti dhe ndëshkim, i cili shkakton një mundim (psiko-fizik) në mendjet dhe shpirtrat e tyre. Pra keqbërësit janë të humbur si në këtë jetë ashtu edhe në jetën tjetër, kur fytyrat e tyre të tërhiqen zvarrë në zjarr e t’u thuhet: “Shijoni zjarrin e Xhehenemit!”(10) Zoti i Madhërishëm në dritën e këtyre figurave të frikshme përcjell mesazhin se përderisa jobesimtarët të tërhiqen zvarrë në Xhehenem dhe të hidhen në zjarr të nënçmuar, ata që pasojnë rrugën e Allahut dhe profetëve të Tij janë të bekuar në paqe dhe rehati (në parajsë).(11)

Popujt e shkatërruar në këndvështrimin e kaptinës “El-Kamer”

Kaptina “El-Kamer”, së bashku me prezantimin e disa skenave të kiametit, rrëfen edhe masat ndëshkuese me të cilat u përballën disa popuj të lashtë sikur që ishin populli i Nuhut, Adit, Themudit, Lutit dhe Faraonit.
Rrëfimi mbi popujt e lashtë fillon me përgënjeshtrimin e popullit të Nuhut: “Populli i Nuhut që ishte para tyre përgënjeshtroi, dhe robin Tonë (Nuhun) e quajti rrenacak dhe thanë: “I marrë!” dhe iu bë kërcënim”(12) dhe vazhdon me ndëshlumin dhe përfundimin famëkeq të tyre: “Atëherë Ne me një shi të vrullshëm i hapëm dyert e qiellit, dhe Ne tokën e zbërthyem në burime uji, kurse uji u bashkua siç ishte caktuar.”(13) Nga ky ajet kuptohet fakti se populli i Nuhut për shkak të mohimit të profetit të tyre, përgënjeshtrimit dhe kërcënimit u ndëshkuan me një shi të vrullshëm nga qielli dhe me një tokë të shndërruar në burime uji (vërshim), nga i cili shpëtoi vetëm ai (Nuhua.s.) dhe ata që besuan profetësinë e tij:
“Ndërsa Nuhun e bartëm në një barkë (të ndërtuar) prej dërrasash dhe gozhdësh. Që lundronte në mbikëqyrjen Tonë.”(14) Sipas komentatorëve të Kuranit, mënyra e përshkrimit të anijes në këtë ajet me një strukturë të thjeshtë të përbërë nga vetëm dërrasa dhe gozhda, dhe përmendja e shpëtimit e jo ndëshkimit është dëshmi që mëshira e Zotit e kishte kaluar zemërimin e Tij.(15) Në vazhdim të rrëfimit, konkretisht në vargun e pesëmbëdhjetë, trajtohet fakti se përmbytja e popullit të Nuhut është një kujtim apo shenjë nga Allahu i Madhëruar për ata të cilët mendojnë, i vënë veshin dhe marrin mësim nga ndëshkimi, paralajmërimi i mesazhit hyjnor. Rrëfimi merr fund me këshillën se Kurani është i lehtë për t’u kuptuar, kujtuar dhe mësuar për të gjithë ata që dëshirojnë të përfitojnë nga të begatitë e tij.
Edhe populli i Hudit, si rrjedhojë e përgënjeshtrimit dhe rebelimit ndaj profetit të tyre, pas shumë këshillave dhe paralajmërimeve, u ndëshkua me një erë të fortë, të stuhishme dhe të pandërprerë në një ditë fatkeqe. “Atyre Ne në një ditë fatkeqe të përjetshme u lëshuam një erë të fortë.”(16) Komentatorët e Kuranit thonë se fraza “ditë fatkeqe” e përmendur në këtë ajet ka për qëllim dënimin me një erë aq të fuqishme saqë asgjë e madhe apo e vogël nuk do ti shpëtonte dhe mendohet se ajo do të vazhdojë kohë pas kohe deri në ditën e kiametit.(17) Rrëfimi i kësaj fatkeqësie të madhe dhe tronditëse vazhdon me një përshkrim metaforik dhe të hollësishëm të kësaj ere që nxirrte njerëzit nga vendqëndrimi i tyre sikur të ishin trungje hurmash të shkulura. Dhe pas këtij përshkrimi artistik, rrëfimi përfundon me ajetet paralajmëruese dhe këshilluese: “Dhe çfarë ishte ndëshkimi Im dhe vërejtja Ime? Ne Kuranin e bëmë te lehtë për të kuptuar, a ka ndokush që merr këshillë?!” Pra, për mohuesit dhe përgenjështruesit masat ndëshkuese janë të këtilla. Kurani është i lehtë dhe i qartë për këdo që dëshiron të marrë mësime dhe këshilla nga këto rrëfime të vërteta dhe shembullore. Përsëritja e këtyre vargjeve pas çdo rrëfimi ka për qëllim ngulit jen e tyre në zemrat e atyre që dëshirojnë të marrin mësim.
Një ndër popujt të cilët ndoqën rrugën e ngjashme të gabuar të popujve paraprak ishte edhe fisi Themud, te të cilët Salihu a.s. u dërgua si pejgamber. Ky popull mohoi dhe përgënjeshtroi të dërguarin e tyre duke e konsideruar si të kotë ndjekjen e një njeriu në mesin e një turme njerëzish, i cili nuk ishte nga të parët e tyre dhe nga të fuqishmit, përkundrazi ishte nga mesi i të dobëtëve.(18) Kur Salihu a.s. i paralajmëroi ata se kundërshtimi dhe mohimi i të dërguarve dhe librave të zbrirura me ta do të bëhet shkak i futjes së tyre në zjarr, nga kokëfortësia e tyre thanë: “A, atij nga mesi jonë iu dha shpallja? Jo, por ai është një gënjeshtar mendjemadh!”. Ata po ashtu pretenduan se pejgamberi që u kishte ardhur atyre nuk ishte asgjë tjetër përveçse një individ i pa privilegjuar për dërgesën hyjnore, një gënjeshtar dhe mendjemadh i cili përmes misionit pejgamberik synonte të fitojë reputacion në shoqëri. Si përgjigje ndaj këtyre akuzave dhe përgënjeshtrimeve, Allahu i Madhëruar dëshmon me një gjuhë qortuese se në çastet e zbrit jes së ndëshkimit ndaj tyre ata do të kuptojnë se kush është gënjeshtar dhe mendjemadh. Edhe pse u soll deveja si një mrekulli e Zotit për ta, ata vazhduan në mohim, përgënjeshtrim dhe rebelim duke e therur atë; atëherë Allahu i Plotfuqishëm zbriti mbi ta dënimin tronditës të përshkruar në vargun vijues: “Ne lëshuam kundër tyre një ushtimë, e ata u bënë si shtrojë vathi.”(19) Edhe pse përshkrimi i këtij shkatërrimi të fuqishëm në këtë ajet nuk është bërë në mënyrë të detajuar, nga ajetet e tjera kuranore(20) përmendet që ata u asgjësuan që të gjithë me një tingull të fuqishëm dhe të shpejtë që lëvizte si vorbull ajri (rrufe) dhe i shndërroi ata në barë dhe drurë të thatë.(21) Pas këtyre skenave të frikshme, Allahu i Madhërishëm thekson se njerëzimit ia lehtësoi Kuranin, që të udhëzohen zemrat e tyre, t’i kuptojnë mësimet e tij dhe të meditojnë rreth tij.
Rrëfimi vazhdon me përshkrimin e një populli tjetër që përveç kundërshtimit të pejgamberit të tyre njihej edhe për mëkate që nuk ishin njohur te popujt e tjerë më parë; pra populli i Lutit a.s, Ajeti kuranor:
“Populli i Lutit i përgënjeshtroi vërejtjet e pejgamberit të vet”,(22) tregon faktin që edhe ky popull ishte sikurse popujt e tjerë në kryeneçësi dhe kundërshtim. Si rrjedhojë e këtyre blasfemive dhe veprimeve të shëmtuara që nuk kishin ndodhur më parë, edhe ky popull nuk ishte lënë pa u ndëshkuar dhe dënimi i tyre ishte bërë nga gurë të ngritur nga toka e të hedhur mbi ta nga një erë e fuqishme dhe shkatërruese.(23)
Dhuntia e Zotit të Plotfuqishëm u realizua mbi robin e vet Lutin a.s. dhe vajzat e tij të cilët u shpëtuan nga ky dënim tronditës.
Prej popujve të zhdukur të përmendur në kaptinën “El-Kamer” janë edhe mohuesit nga dinastia e Faraonit. Rrëfimi rreth kësaj dinastie në këtë kaptinë shpjegohet në dy sfera: E para, ardhja e lajmëtarëve te Faraoni dhe familja e tij dhe përgjigja e tyre e ngjashme me popujt e mëhershëm me mohim dhe përgënjeshtrim; dhe e dyta shkatërrimi i Faraonit, dinastisë dhe pushtetit të tij me një ndëshkim të rreptë e të fuqishëm me të cilin u asgjësua pushteti i tij i rrejshëm dhe mashtrues.(24)
Pas përmendjes së masave të frikshme e shkatërruese dhe përballjen e shumë popujve me to si rrjedhojë e mohimit dhe përgënjeshtrimit të tyre, paralajmërohen politeistët kurejsh që të heqin dorë nga mosbesimi dhe përgënjeshtrimi dhe theksohet se ata nuk posedojnë ndonjë epërsi që do t’i mbronte nga ndonjë ndëshkim kaq i tmerrshëm ose edhe më i fuqishëm dhe më shkatërrues. Në këtë kaptinë po ashtu vihet në dukje çështja se çdo gjë është krijuar në një masë të caktuar. Në lidhje me këtë fakt, Sejjid Kutub, thotë se të gjitha krijesat, qofshin të vogla ose të mëdha, flasin ose nuk flasin, lëvizin apo nuk lëvizin, të kaluara apo të ardhme, janë të lidhura dhe të krijuara në një masë dhe qëllim të caktuar dhe të drejtuar me urtësi. Nuk ka asgjë boshe, të pakuptimtë, të padobishme dhe të pavlerë. Gjithashtu nuk ka asgjë që ndodh rastësisht apo rrjedh nga vetvetja e tij në mënyrë spontane. Kurse në vargjet në vazhdim të kaptinës përmendet çështja se çdo gjë në krijimtarinë e Krijuesit të Plotfuqishëm, e madhe apo e vogël, realizohet vetëm me urdhrin e Tij – Kun “Bëhu”; pra pa ndonjë përpjekje dhe pa nevojën e kohës; dhe dëshmia se çdo vepër e madhe apo e imët, e shkurtë apo e gjatë, e folur apo e vepruar është e regjistruar rresht për rresht. Kaptina merr fund me përshkrimin e përfundimit të besimtarëve që nuk përgënjeshtruan fuqinë e Allahut dhe pejgamberët e Tij; pra me përshkrimin e parajsës, paqes, rehatisë dhe begative të Allahut që do t’i përjetojnë në botën tjetër.
Përmendja e shkatërrimit gjithëpërfshirës të popujve të mëparshëm dhe kiametit në kaptinën “El-Kamer”, nga një aspekt mund të kuptohet si paralajmërim dhe bekim në emër të mbrojtjes së qenies njerëzore nga ndonjë përfundim i tillë famëkeq, mësim ky si për politeistët e Mekës ashtu edhe për të gjithë njerëzit që kanë ardhur dhe do të vijnë deri në ditën e kiametit. Po ashtu të gjitha këto këshilla mund të kuptohen si inkurajim për mirësitë e Xhenetit dhe pasjen parasysh të parimit të përgjegjësisë dhe llogarisë së veprave në këtë botë.

__________________
1. E afërta është ofruar (kiameti). “En Nexhm, 57.
2. “U cfiua Ora dhe u ça Hëna! El-Kamer; 1.
3. En Nexhm, 50-52.
4. “U afrua ora dhe u ça Hëna! E megjithatë, sa herë që shohin ndonjë mrekulli, ata kthejnë kurrizin dhe thonë: “Kjo është në vazhdën e magjive të tij!” Ata e mohojnë (të vërtetën) dhe pasojnë dëshirat dhe tekat e tyre, por çdo gjë është e caktuar.” El-Kamer. 554/1-3.
5. Ragib el-lsfahani, el-Mufredat. f. 691; Demirci, Muhsin, Kuran ‘in Ana Konulari. 292.
6. El-Kamer 1. 7. Tantavi, Et-Tefsiru’l-Vasit, V. XIV, .f 96.
8. El-Kamer; 8.
9. El-Kamer; 46.
10. EI-Kamer; 47.
11. El-Kamer 54.
12. El-Kamer; 9.
13. El-Kamel; 11-12.
14 El-Kamer; 13.
15. Sa’lebi el-Keshve’l- Beyan, V IX. F. 164; Afusi’ Ruhu ‘l-Me’ani, V. XXVII. F. 83.
16. El-KameR; 54/19.
17. KUrtubi, El-Xhai’li Ahkami’l-Kuran. XX, 87.
18. Zuhayli. a.g.e. C. XIV. s. 187;.
19. El-Kamer; 54/31.
20. “Nëse ata shmangen, ti thuaju: “Ju paralajmëroj me rrufenë që goditi fiset Ad dhe Themud.” Fussilet, 41/13.
21. Sejjid Kutub, a.g.e.,V. XX. f. 3434.
22. El-Kamer; 54/33.
23. Kurtubi, El-Xhami’li Ahkami’l-Kur’an, V. XX. F. 9.
24. Taberi, Xhamiu’l-Beyan, V.~ XXII f. 154; Sejjifd Kutub, Fi Dhillali’l-Kuran, V. XX f. 3438.

Nga: Dr. Valmire Batatina Krasniqi