Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është i mendimit që shqiptarët duhet të kenë vetëm një kombëtare të futbollit. I pari i futbollit shqiptar i ftuar në emisionin “Mirëmbrëma yje”, nga Arbana Osmani, në një intervistë të gjerë ka folur edhe për temën e shumë diskutuar, por se e ka pranuar që kjo është diçka e vështirë, por më mirë për të dyja vendet.
“Ne duhet të kemi një Kombëtare. Por kjo nuk varet as nga unë dhe as nga ti. Unë kështu e mendoj, por nuk kemi gjë në dorë. Për sa kohë jemi dy shtete më një komb, do kemi dy ekipe, dy kampionate. Nëse jemi bashkë jemi një vend më i madh, kemi potencial më shumë, jemi treg më i madh. Në të gjitha këndvështrimet është më mirë mendoj, jo vetëm në futboll.
Në pyetjen se cila kombëtare është më e mirë, Shqipëria apo Kosova, Duka zgjodhi natyrshëm kuqezinjtë.
“Ne jemi më të mirë se Kosova. Por Kosova ka futbollistë të mirë, është në play-off. Në një histori kaq të shkurtër, me kaq pak eksperiencë të shkosh në play-off është një sukses i madh dhe është një moment që duhet ta jetojnë dhe të vazhdojnë ta synojnë Botërorin”.
Ai e pranon se ka një problem me “Tifozat Kuqezi”, por që sipas tij dëshiron një nivel dhe një ambient më të kulturuar në stadium.
Gjatë bisedës, Duka u ndal te puna e përditshme në krye të Federatës, te progresi i futbollit kombëtar dhe ambicia për kualifikimin e Kombëtares shqiptare në Kampionatin Botëror, një objektiv që, sipas tij, mbështetet në punën e vazhdueshme dhe potencialin real të skuadrës.
“Për të qenë brenda kornizave të profesionit tim, ne kemi 25% probabilitet, sepse jemi katër skuadra me të njëjtin nivel dhe të katërta kemi nga 25%. Unë kam shumë besim dhe e kam pasur gjithmonë. Besimi im është real, nuk është thjesht dëshirë. Është real për nga niveli dhe skuadra që kemi, për atë çfarë ne kemi bërë, futbollistët në fushë i kanë të gjitha mundësitë”, thotë Duka.








