Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Dy akrepa në një kavanoz!

Dy akrepa në një kavanoz!

Trump dhe Netanyahu, hem nevojë për njëri-tjetrin e hem prirje për pickim

Ekziston një shëmbëlltyrë e vjetër për dy akrepa të mbyllur në një kavanoz. Asnjëri nuk mund të largohet, asnjëri nuk i beson tjetrit dhe herët a vonë, njëri pickon tjetrin, jo domosdoshmërisht për ta vrarë, por sepse bashkëjetesa bëhet e padurueshme.

Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu i ngjajnë gjithnjë e më shumë këtyre dy akrepave, ndërsa kavanozi është Lindja e Mesme e përfshirë nga luftërat dhe krizat që ata kanë shkaktuar në rajon.

Për një kohë të gjatë, të dy vepruan në harmoni. Netanyahu e bindi Trumpin se një përballje me Iranin mund të ishte e shpejtë dhe vendimtare, ndërsa Trump e pranoi këtë bindje pa shumë hezitim.

Megjithatë, zhvillimet nuk ecën sipas pritshmërive. Irani nuk u mposht dhe kostot politike e strategjike ranë kryesisht mbi administratën amerikane.

Profesori John Mearsheimer i Universitetit të Çikagos, ka argumentuar se Netanyahu e bindi Trumpin se lufta do të ishte e shkurtër dhe e suksesshme, ndërsa presidenti amerikan e pranoi këtë vlerësim pa e vënë seriozisht në dyshim.

Në analiza të tjera, Mearsheimer ka shkuar edhe më tej, duke pretenduar se ndikimi i Izraelit dhe i lobit të tij në politikën amerikane kufizon ndjeshëm lirinë e veprimit të presidentëve amerikanë.

Tensionet u bënë më të dukshme gjatë zhvillimeve në Liban. Sipas raportimeve, Trump zhvilloi një bisedë shumë të ashpër telefonike me Netanyahun, duke kërkuar shpjegime për operacionet ushtarake dhe duke shprehur zemërimin e tij.
Mediat raportuan se ai e quajti kryeministrin izraelit “të çmendur” dhe e paralajmëroi se mbështetja amerikane nuk ishte e pakushtëzuar. Edhe pse qeveria izraelite u përpoq të minimizonte incidentin, raportet krijuan përshtypjen e një marrëdhënieje shumë më të tensionuar sesa ajo që shfaqej publikisht.

Ekonomisti Jeffrey Sachs e sheh këtë konflikt si pjesë të një strategjie më të gjerë për dominimin rajonal. Sipas tij, lufta kundër Iranit nuk mund të kuptohet e shkëputur nga projektet afatgjata që synojnë ndryshimin e ekuilibrave në Lindjen e Mesme, ku Shtetet e Bashkuara shpesh kanë shërbyer si instrument i objektivave strategjikë të Izraelit.

Edhe brenda Izraelit po shtohen zërat kritikë. Gazetari Gideon Levy paralajmëron se vendi po ndjek një rrugë që mund ta çojë drejt izolimit dhe një llogaridhënieje të pashmangshme.

Ndërkohë, Thomas Friedman ka shprehur shqetësimin se si Trump ashtu edhe Netanyahu udhëhiqen më shumë nga interesat e tyre politike sesa nga stabiliteti afatgjatë i rajonit.

Phyllis Bennis i Institutit për Studime Politike e përshkruan marrëdhënien mes tyre si një partneritet thellësisht transaksional. Trump kërkon një trashëgimi politike dhe një imazh fitimtari, ndërsa Netanyahu lufton për mbijetesën e tij politike përballë zgjedhjeve dhe problemeve gjyqësore.

Në këtë kuptim, lufta bëhet një mjet për të prodhuar fitore politike që nuk mund të arrihen përmes qeverisjes së zakonshme.Mbështetja e AIPAC-ut, e së djathtës fetare izraelite dhe e republikanëve pro-Izrael në SHBA mbetet jetike për Netanyahun.

Nga ana tjetër, Trump mbështetet te baza MAGA dhe te donatorë të fuqishëm si Miriam Adelson. Të dy e dinë se humbja e mbështetjes së këtyre blloqeve do t’i ekspozonte menjëherë ndaj rënies politike.

Prandaj metafora e dy akrepave mbetet bindëse. Ata kanë nevojë për njëri-tjetrin për të mbijetuar politikisht, por njëkohësisht janë gjithnjë e më të gatshëm të dëmtojnë njëri-tjetrin sapo interesat e tyre të ndahen.

Trump ka treguar se është i gatshëm ta poshtërojë Netanyahun kur lufta nuk i sjell më përfitime politike. Netanyahu, nga ana tjetër, ka treguar se është i gatshëm të sfidojë kërkesat amerikane kur këtë ia imponon koalicioni i tij.

Në fund, lidhja mes tyre nuk mbështetet më te besimi apo një vizion i përbashkët strategjik, por te nevoja për mbijetesë politike. Pikërisht kjo e bën aleancën e tyre një bashkëjetesë të brishtë, ku goditja e radhës mund të vijë jo për arsye ideologjike, por si akt i pastër vetëmbrojtjeje. /tesheshi