Dy sirianë gjenden të therur me thikë në Leposaviq

Dy persona nga Siria kanë pësuar lëndime të rënda trupore si pasojë e goditjeve me mjet të mprehtë në fshatin Koshuticë të Leposaviqit. Ngjarjet janë evidentuar gjatë natës së 10 dhjetorit.

Fillimisht, rreth mesnatës së së martës, dy gra kanë njoftuar policinë se në oborrin e shtëpisë së tyre kanë gjetur një burrë të shtrirë, të plagosur në disa pjesë të trupit nga një mjet i mprehtë. Viktima, rreth 40 vjeç dhe shtetas i Sirisë, është dërguar për trajtim në Spitalin e Mitrovicës Veriore, e më pas është transferuar në Spitalin e Mitrovicës Jugore për kujdes të mëtejshëm mjekësor.

Më pas, rreth orës 11:05, njësitet e policisë kufitare gjatë patrullimit në Koshuticë kanë gjetur një tjetër shtetas sirian, 27 vjeç, i cili kishte lëndime në kokë dhe këmbë, po ashtu të shkaktuara dyshohet nga mjet i mprehtë. Ai ka deklaruar se është sulmuar natën e kaluar dhe se i dyshuari është larguar në drejtim të kufirit me Serbinë.

Të dy viktimat janë transportuar në Spitalin e Mitrovicës Jugore për trajtim.

Policia ka hapur rastin si “Vrasje në tentativë” dhe po vazhdon hetimet.