Dyshimet e pabaza ndaj figurës së imam Buhariut

Elton Harxhi

Një ndër bidatet më të këqija dhe më të rrezikshme në ideologji që është shfaqur në epokën tonë është hedhja baltë mbi imazhin dhe figurën e imam Buhariut. Hedhja baltë mbi imazhin dhe figurën e imam Buhariut, nuk është thjesht hedhje baltë mbi figurën e një njeriu, por ajo nënkupton refuzim të Sunetit të Profetit (a.s) dhe më tepër se kaq refuzim të Revelatës Hyjnore. Unë jam mëse i vetdijshëm se kjo gjë rrjedh nga qëllimet dashakeqëse të orientalistëve dhe armiqve të Islamit që duan me çdo mjet dhe mënyrë që ta rrëzojnë poshtë fenë Islame. Ky është një fakt që dihet, por më i rrezikshëm është fakti se një pjesë e muslimanëve, atyre që e quajnë veten intelektualë e marrin si të mirëqenë përbaltjen e figurës së imam Buhariut, duke i miratuar – me hir apo pahir – qëllimet dashakeqëse të orientalistëve dhe armqive të Islamit. Nëse këta “muslimanë intelektualë” do të mjaftoheshin vetëm me kaq, rreziku do të ishte individual. Mirëpo këta “muslimanë intelektualë” i proklamojnë me të madhe këto dilema nëpër rrjetet sociale dhe nga këtu rreziku është tejet i madh, sepse masa e gjerë e muslimanëve – që nuk ka njohuri të thellë rreth shkencave të Islamit – i beson këto broçkulla. Prandaj e parë në këtë këndvështrim, hedhja baltë mbi figurën e imam Buhariut konsiderohet një prej bidateve ideologjike më të rrezikshme në epokën tonë. Abdulkadir ibn Muhamed Xhelal thotë: [“Sahihu i Buhariut”, sipas konsesusit të gjithë imamllarëve të Islamit, konsiderohet si përpjekja më e mirë që kanë bërë dijetarët e hadithit në shërbim të Sunetit të Profetit (a.s) si dhe përshkrimi më i spikatur dhe më i qartë i vendosjes me përpikmëri e korrektësi i rregullave që kanë vendosur dijetarët e hadithit, rregulla të cilat garantojnë verifikimin e saktësisë së hadithit të përcjellur nga I Dërguari i Allahut (a.s). Pikërisht kjo është arsyeja se përse “Sahihu i Buhariut” është një ndër librat që është vendosur në qendër të kritikave, diskretitimit dhe hedhjes së dyshimeve ndaj tij. Mirëpo të gjitha këto kritika, diskretitime e dyshime kanë një emërues të përbashkët: Njohuri të cekëta rreth shkencës së hadithit. Këto kritika e dilema nuk ndërtohen mbi baza të mirëfillta shkencore, por ato nuk janë gjë tjetër vetëm se një plan i hartuar për të hedhur poshtë e refezuar librin më të saktë pas librit të Allahut. Nëse ata ia dalin që të hedhin qoftë edhe disa dyshime tek masa e gjerë e njerëzve, ata ia kanë arritur qëllimit të tyre dashakeqës. Mirëpo këto kritika të pabaza dhe dyshime të kota nuk e zbehin aspak pozitën e lartë të imam Buhariut në librin e tij të Sahihut][1]

E shoh me vend që në këtë punim të parashtroj para lexuesit akuzat dhe dilemat që hidhen mbi figurën e imam Buhariut dhe më pas me fakte dhe argumente shkencore t’i hedhë poshtë këto akuza. Një prej këtyre akuzave është se:

Imam Buhariu është i huaj dhe jo arab:

Një akuzë që është hedhur për të përbaltur figurën e imam Buhariut është akuza se ai është nga Buhara, një qytet në Uzbekistanin e sotshëm. Gjuha amtare e banorëve të Buharës nuk është gjuha arabe dhe duke qenë se imam Buhariu është nga Buhara, ai ka pasë folur një gjuhë të huaj, jo arabisht, ç’ka e ka penguar atë që të zotërojë shkencën e hadithit.

Kjo akuzë është e pabazë për disa arsye:

Arsyeja e parë: Çlirimi i vendeve të lindjes nga muslimanët bëri që në këto vende të përhapej gjuha arabe duke qenë ajo një gjuhë zyrtare dhe shumë e thjeshtë për të komunikuar nëpërmjet saj. Abdulkadër ibn Muhamed Xhelali citon: [Në vendet e Lindjes, gjuha arabë u bë gjuhë kryesore dhe u bë një gjuhë nëpërmjet të cilës komunikonin qeveritarët, dijetarët dhe intelektualët.][2]

Arsyeja e dytë: Gjuha arabe nuk është racë, por ajo është një gjuhë që fjalët e saj dalin nga goja. Nuk është çudi që këtë gjuhë ta perfeksionojnë njerëz të cilët janë të huaj, jo arabë. Mjafton të përmendim si shembull Sibeuejhin, dijetarin e madh të gjuhës arabe i cili ishte pers. Po ashtu në këtë kontekst, si shembullin më të mirë që mund të përmendim është rasti i dijetarëve të mëdhenj të hadithit, të cilët kanë jetuar në kohët e sotme, Shejh Albanin, Shuajb Arnautin dhe Abdulkadër Arnautin. Të tre këta kolosë të Islamit kanë qenë shqiptarë, por kjo aspak, nuk i pengoi ata që të përvetsonin gjuhën arabe dhe shkencën e hadithit.

Arsyeja e tretë: Imam Buhariu është “muxhtehid mutlak”. Dhe këtë dëshmi e kanë dhënë të gjithë dijetarët, hoxhallarët dhe imamllarët e mëdhenj të fesë islame që kanë jetuar në kohën e tij dhe pas tij. Përderisa një dëshmi e tillë është dhënë nga të gjithë dijetarët e Umetit, kjo nënkupton se imam Buhariu nuk është një njeri dosido, por një njeri që gëzon një pozitë mjaft të lartë. Ibn Haxheri ka thënë: [Libri i tij është dëshmi e përparësisë që ai ka ndaj të tjerëve (dijetarëve) në lidhje me mënyrën se si ai del në konkluzione për çështje të hollësishme (të detajuara), njohjen e thellë të gjuhës, sintakës dhe morfologjisë, aq sa është e vështirë që të përshkruhet. Kushdo që shqyrton me kujdes mënyrën se si ai e ka bërë ndarjen (përzgjedhjen) e kapitujve sipas normave të Jurisprudencës Islame, do të dalë në përfundimin se imam Buhariu ka qenë muxhtehid.][3]

Arsyeja e katërt: Imam Buhariu – qysh në vegjëli – është fokusuar tek mësimi përmendësh i Kuranit, mësimi i shumë e shumë haditheve profetike dhe mësimi i një numri jashtëzonisht të madh përmbedhjesh e koleksionesh të recituesve të mëdhenj të poezive. Abdulkadër ibn Muhamed Xhelali thotë: [Nuk ka dyshim se imam Buhariu është imam (prijës) në shkencën e Kuranit, Sunetit Profetik, fjalëve të sahabëve dhe tabiinëve. Nuk ka dyshim se ai ka lexuar e mësuar aq shumë poezi e citate të arabëve saqë është e vështirë të numërohen. Mos të harrojmë se ai karakterizohet me një perceptim të saktë. Të gjitha sa thamë më sipër janë motive që dëshmojnë se imam Buhariu i ka pasë perceptuar sekretet e gjuhës arabe, i ka pasë njohur metodat e stilistikës, retorikës, gramatikës dhe morfologjisë së gjuhës arabe.][4]

Autor: Elton Harxhi

[1] -“I’laul Buhari” i Abdulkadër ibn Muhamed Xhelalit, fq: 10 – 11.

[2] -“I’laul Buhari” i Abdulkadër ibn Muhamed Xhelalit, fq: 20.

[3] -“I’laul Buhari” i Abdulkadër ibn Muhamed Xhelalit, fq: 21.

[4] -“I’laul Buhari” i Abdulkadër ibn Muhamed Xhelalit, fq: 22.