Netanyahu, presion mbi Shtëpinë e Bardhë për goditje bwrthamore në Malin Kazmë
Analisti konservator amerikan Tucker Carlson ka ngritur alarmin për mundësinë që administrata e Donald Trumpit të jetë vetëm pak ditë larg autorizimit të një sulmi bërthamor kundër Iranit.
Sipas tij, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po ushtron presion të vazhdueshëm mbi presidentin amerikan për të goditur një objekt të dyshuar bërthamor në territorin iranian, duke e shtyrë Uashingtonin drejt një përshkallëzimi me pasoja të paparashikueshme.
Në një reagim të gjatë të publikuar të dielën në platformën X, Carlson identifikoi si objektiv të mundshëm Malin Kazmë, në Iranin qendror. Sipas pretendimeve të tij, shërbimet izraelite të inteligjencës dyshojnë se Teherani ka rifilluar aktivitetet e pasurimit të uraniumit në këtë kompleks nëntokësor.
Ish-prezantuesi i Fox News, argumenton se objekti është i mbrojtur nga rreth 90 metra granit i fortë, çka do ta bënte jashtëzakonisht të vështirë depërtimin e armëve konvencionale amerikane. Për këtë arsye, sipas tij, përdorimi i një arme bërthamore taktike mund të jetë duke u shqyrtuar si alternativë ushtarake.
“Netanyahu e telefonon Trumpin për këtë çështje çdo ditë”, citoi Carlson një burim të paidentifikuar, të cilin e përshkroi si të mirëinformuar.
Komentatori amerikan pretendon se këmbëngulja e Netanyahut për një tjetër përballje ushtarake lidhet edhe me mbijetesën e tij politike.
Sipas Carlson, kryeministri izraelit ka nevojë për ndërhyrjen e Trumpit për të siguruar një shumicë prej 61 mandatesh në Knesset, pas rezultateve të fundit zgjedhore. Në të kundërt, ai rrezikon të humbasë pushtetin dhe të përballet me hetime gjyqësore, madje edhe me mundësinë e burgimit.
Carlson pretendon gjithashtu se Netanyahu po ushtron presion mbi zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth dhe komandantin e Komandës Qendrore Amerikane, admiralin Brad Cooper, për të rifilluar operacionet e mëdha ushtarake kundër Iranit.
Sipas tij, edhe sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, po ndjekin linjën e kryeministrit izraelit. Carlson thotë se aleatët e SHBA-së në Lindjen e Mesme janë gjithnjë e më të shqetësuar për rifillimin e luftimeve.
Ai pretendon se Netanyahu ka udhëtuar fshehurazi në Abu Dhabi më 27 shtator, në përpjekje për të bindur Emiratet e Bashkuara Arabe të mbështesin një sulm përfundimtar kundër Iranit.
Megjithatë, sipas tij, autoritetet emiratase e kanë refuzuar këtë kërkesë. Pasojat ekonomike të një konflikti të ri do të ishin të rënda. Carlson vlerëson se tetë muaj përplasje kanë dëmtuar ndjeshëm ekonomitë e vendeve të Gjirit, si dhe tregjet globale të energjisë dhe plehrave kimike.
Ai pretendon se vetëm gjatë muajit tetor, në Ngushticën e Hormuzit janë dëmtuar rëndë 11 nga rreth 850 supercisterna nafte që qarkullojnë në botë.
Por sipas tij, rreziku më i madh lidhet me pasojat e një shpërthimi bërthamor në Malin Kazmë. Një goditje e tillë mund të shkaktonte ndotje radioaktive në rajonin e Gjirit dhe të kërcënonte furnizimin me ujë të rreth 100 milionë njerëzve.
Carlson paralajmëron gjithashtu se përdorimi i parë i armëve bërthamore nga SHBA-ja do të krijonte një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm.
Sipas tij, kjo mund t’i jepte Rusisë një justifikim për të përdorur armë të tilla kundër Ukrainës, të nxiste një përshkallëzim të ri mes Indisë dhe Pakistanit dhe të inkurajonte Korenë e Veriut të sulmonte Seulin.
“Pas sulmit të parë bërthamor, Lufta e Tretë Botërore bëhet e pashmangshme. Ajo luftë do të ishte e shkurtër dhe përfundimtare”, shkroi ai.
Komentatori pretendon se administrata Trump ka ndryshuar në heshtje doktrinën bërthamore amerikane që nga shkurti, duke e bërë më të lehtë dhe më të mundshëm përdorimin e parë të armëve bërthamore taktike në fushën e betejës.
Sipas Carlson, Trumpi mund të marrë një vendim për përdorimin e armëve bërthamore deri më 7 nëntor. Megjithatë, zëvendëspresidenti JD Vance dhe i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff po përpiqen ta bindin presidentin të ndjekë rrugën diplomatike dhe të arrijë një marrëveshje me Teheranin.
Carlson e pranon se negociatat do të jenë të vështira, por pretendon se personat që kanë komunikuar me vendimmarrësit iranianë kanë konstatuar një konsensus se një luftë tjetër nuk do t’i shërbente interesave të askujt dhe se një marrëveshje mbetet e mundur.
Deklaratat e tij vijnë pas komenteve të Trumpit të shtunën, në rezidencën e tij në Mar-a-Lago, ku presidenti amerikan tha se një ose dy objekte bërthamore iraniane mbeten objektiva të mundshëm dhe se SHBA-ja mund t’i godasë brenda dhjetë minutash.
Ai përmendi posaçërisht Malin Kazmë, duke thënë se ushtria amerikane ka plane për atë zonë, por nuk deklaroi se ishte autorizuar ndonjë sulm bërthamor. Në një intervistë më 16 tetor për Newsmax, Trumpi kishte përjashtuar shprehimisht përdorimin e armëve bërthamore kundër Iranit.
Ndërkohë, Axios raportoi se Trumpi dhe Netanyahu zhvilluan të shtunën një bisedë telefonike të tensionuar. Sipas burimeve amerikane dhe izraelite të cituara nga media, kryeministri izraelit kërkon rifillimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake pas zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, të 3 nëntorit, ndërsa Trumpi preferon t’u japë më shumë kohë negociatave diplomatike.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se administrata nuk komenton planet e ndjeshme ushtarake, por se presidenti po i mban të gjitha alternativat të hapura për të penguar Iranin të sigurojë armë bërthamore.
Edhe Rubio ka konfirmuar se nuk është marrë ende asnjë vendim përfundimtar për rifillimin e sulmeve. Nga ana e saj, Irani mohon çdo aktivitet bërthamor në kompleks. Udhëheqësi suprem iranian ka paralajmëruar Uashingtonin dhe Tel Avivin kundër ndërmarrjes së sulmeve të tjera. \tesheshi

