E pranojnë fajësinë 10 prej 18 të akuzuarve në rastin “Subvencione V”

10 prej 18 të akuzuarve në rastin “Subvencionet V” e kanë pranuar fajësinë dhe e kanë rikonfirmuar marrëveshjet e tyre për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Speciale. Prejt tyre katër janë zyrtarë publikë, ndërsa të tjerët qytetarë.

Prokurori special Rafet Halimi, në seancën e shqyrtimit fillestar për këtë rast që është mbajtur të mërkurën ka thënë se marrëveshjet për pranim të fajësisë janë në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.

“Sa i përket pranimit të fajësisë për të pandehurit që kanë lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë e njoftoj edhe një herë gjykatën se marrëveshjet janë përpiluar në përputhje me diaspozitat e Kodit të Procedurës Penale … është në përputhje të plotë edhe me provat për veprat penale të paraqitura në aktakuzë”, ka theksuar Halimi.

Të akuzuarit që e kanë pranuar fajësinë janë B. S., K. B. S., V. H., G. A., A. U., F. I., A. T., B.O., A.s. dhe M.M.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, i aprovoi këto marrëveshje për pranimin e fajësisë meqë sipas saj, ato nuk kanë të meta ligjore as për nga provat e paraqitura. Ndaj të akuzuarve që pranuar fajësinë është veçuar procedura dhe pritet që aktgjykimi për ta të shpallet më 13 maj. Të pandehurit që nuk e kanë pranuan fajësinë gjyqtarja i udhëzoi për ankesë brenda 30 ditësh lidhur me provat dhe aktakuzën.

Aktakuza kundër të pandehurve K.Z, L.S, S.SH, A.U, V.H, B.P, A.GJ, G.A, K.S, B.S, V.I, F.J, F.Y, A.N, A.S, A.T, B.O dhe M.M. është ngritur për veprat penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Marrja e ryshfetit’’, ‘’Dhënia e ryshfetit’’, ‘’Ushtrim i ndikimit’’ si dhe ‘’Mashtrim me subvencione’’.

“Aktakuza është ngritur kundër tetë (8) pandehurve si persona zyrtar, prej tyre katër (4) të pandehur janë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dy (2) të pandehur zyrtarë nga Regjioni i Gjilanit në kuadër të AZHB-së, një (1) zyrtarë në Komunën e Kllokotit, një (1) zyrtarë në Komunën e Vitisë dhe ndaj dhjetë (10) të pandehur të tjerë qytetar”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Po ashtu, Prokuroria Speciale kishte propozuar që të konfiskohet “dobia pasurore e sekuestruar nga të pandehurit e fituar me kryerjen e veprave penale në vlerë 184,000.00€”.