Edhe japonezët verifikojnë saktësinë… e statistikave të tyre?

ATSH-AFP/ – Disa ministri japoneze bënë të ditur se kanë verifikuar saktësinë e statistikave të tyre, pas disa informacioneve të publikuara nga mediat sipas të cilave kishin fryrë me dashje numrin e punonjësve me aftësi të kufizuara në raport me punonjësit e tjerë për të qënë në përputhje me zbatimin e ligjit.

Sipas disa rregullave zyrtare të vendosura vitin e kaluar, personat me aftësi të kufizuara duhej të zinin 2,3% të numrit të punonjësve të adminstratës publike dhe të agjencive qeveritare.

Ministritë siguruan se 2,5% e personelit të tyre ishin persona me aftësi të kufizuara, por sipas shifrave të publikuara nga televizioni publik, NHK, shumë persona që punonin në këto institucione kishin deklaruar se ishin të tillë pa patur një dokument zyrtar që e vërtetonte këtë.

Sipas mediave, kjo është një praktikë shumë e përhapur pasi bëhet fjalë për 1 000 apo 2 000 nga 6 000 personat me nevoja të ndryshme që figurojnë në listat e punonjësve të këtyre institucioneve.