Egjipt, arrestohet djali i ish-presidentit të burgosur Morsi

Forcat egjiptiane të sigurisë në shtëpinë e tij në Kajro kanë arrestuar Abdullah Morsi, djalin e ish-presidentit të burgosur Mohamed Morsi, i cili u përmbys në një grusht shteti ushtarak në vitin 2013, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për AA, Ahmed Morsi, djali më i madh i ish-presidentit, konfirmoi se vëllai i tij Abdullah është arrestuar nga personeli i sigurisë.

“Ne ishim të befasuar këtë mëngjes kur persona të paidentifikuar hynë në shtëpinë tonë në qarkun Sheikh Zayed dhe arrestuan vëllain tim”, tha Ahmed.

Familja, shtoi ai, ende nuk është në njohuri për vendndodhjen e Abdullahut.

Autoritetet egjiptiane, nga ana e tyre, ende nuk kanë komentuar mbi arrestimin e raportuar ose pretendimet e familjes Morsi.