Egjipt, transporti publik në Kajro shtrenjtohet deri në 250 për qind

Ministria e Transportit të Egjiptit ka sjellë një vendim për shtrejtimin e transportit publik, ndërsa çmimet e biletave të metros në Kajro janë shtrejtuar për 50, 150 dhe 250 për qind, raporton Anadolu Agency (AA).

Kumtesa e ministrisë thotë se vendimi për rritjen e çmimit të biletave do të hyjë në fuqi nga dita e sotme dhe se qytetarët do të paguajnë tre, pesë dhe shtatë paund egjiptianë, varësisht nga numri i stacioneve të kaluara.

Ministria gjithashtu ka theksuar se çmimet e biletave për personat me aftësi të kufizuara u ulën në 0.50 paund egjiptian. Ndërkaq sa i përket studentëve dhe pensionistëve nuk ka pasur ndryshime në çmimet e transportit publik.

Gjithashtu theksohet se qëllimi i rritjes së çmimeve në transportin publik është zhvillimi dhe modernizimi i sistemit të metrosë.

Metroja në Kajro, e cila ka tre linja, shtrihet në një gjatësi prej 79 kilometrash dhe ka gjithsej 64 stacione. Metrot egjiptiane në ditë shfrytëzohen nga tre milionë njerëz.

Në mars të vitit të kaluar, Egjipti vendosi të rriste çmimin e biletave në transportin publik me 100 për qind, apo nga një në dy paundë egjiptianë. Por, asokohe çmimet nuk u ndryshuan në bazë me numrin e stacioneve të kaluara.