Egjipti dhe SHBA-ja zhvillojnë stërvitje të përbashkët ushtarake në Mesdhe

Egjipti ka zhvilluar stërvitje të përbashkët ushtarake me SHBA-në në veri të ujërave të tij territoriale në Mesdhe, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga zëdhënësi i Ushtrisë së Egjiptit, Gharib Abdel Hafez thuhet se stërvitja e zhvilluar nga forcat detare të Egjiptit dhe SHBA-së në zonën ku ndodhet flota detare veriore është “kundër kërcënimeve ndaj kalimeve detare ndërkombëtare”.

Në deklaratë theksohet se në stërvitje morën pjesë anija helikoptermbajtëse “Gamal Abdel Nasser” e ushtrisë egjiptiane dhe destrojeri i ushtrisë amerikane USS Delbert D. Black.

Në deklaratë thuhet se nëpërmjet stërvitjes “u zhvilluan aftësitë e veprimit të përbashkët të forcave” dhe se stërvitja është zhvilluar “kundër kërcënimeve që mund të prekin sigurinë e tregtisë botërore dhe të lundrimit ndërkombëtar”.

Komanda e Forcave Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) kishte deklaruar se anija destrojer USS Delbert D. Black kaloi më 30 gusht nga Kanali i Suezit dhe iu bashkua flotës së 5-të.