Egoja e fryrë

Pas ceremonisë së kurorëzimit të tij si mbret i ri i vendit, ai u largua drejt pallatit të tij, të ndërtuar nga fallxhorët dhe magjistarët e vet.
Me të hyrë në dhomë, hoqi kurorën, zhveshi mantelin mbretëror dhe e gjeti veten në mes të dhomës, i zhytur në madhështinë e vet pafund, si mbreti dhe sulltani i atyre viseve.
Në një nga qoshet e dhomës së gjerë, qëndronte një pasqyrë e praruar me argjend, të cilën ia kishte bërë dhruatë e ëma. Befas u kthey nga pasqyra, prej ku u shfaq një burrë lakuriq, i cili doli prej pasqyrës dhe iu afrua.
Në çast e pushtoi frika dhe i tmerruar, bërtiti:”Kush je ti dhe çfarë dëshiron?”
Burri iu përgjigj:”Dua vetëm një gjë të vetme madhëria juaj, dua të më tregosh, përse të kanë kurorëzuar ty si mbretin e këtyre viseve?”
Mbreti iu përgjigj:”Më kanë kurorëzuar mua si mbret, sepse unë jam njeriu më fisnik dhe dinjitar mes tyre.”
Burri tha:”Betohem në Zot se po të ishe më fisniku dhe më dinjitari, nuk do të pranoje të bëheshe mbret.”
Aty për aty, mbreti tha:”Në fakt, më kurorëzuan mua si mbret sepse unë jam më i fuqishmi dhe më i zoti mes tyre.”
Burri iui përgjigj:”Po të ishe vërtet më i fuqishmi dhe më i zoti mes tyre, nuk do ta pranoje pushtetin.”
Mbreti, duke zgurdulluar sytë tha:” Populli më kurorëzoi mbret, pikërisht për urtësinë që kam.”
Burri iu përgjigj:”Pasha Zotin, po të kishe urtësi, do ta refuzoje kurorë mbretërore.”
Mbreti u plandos përtokë dhe shpërtheu në të qara me dënesë.
Sakaq, burri lakuriq e shihte gjithë keqardhje dhe dhembshuri për nivelin intelektual të ulët dhe për egon e fryrë. Mandej, burri lakuriq kapi kurorën e rënë përtokë, ia vuri mbretit në kokë dhe u kthye sërish tek pasqyra, njëlloj siç kishte dalë prej saj, me vështrimin nga mbreti që dëneste me dhimbje.
Pak çaste më vonë, mbreti ngriti kryet dhe hodhi vështrimin nga pasqyra, e kundroi mirë e mirë, por nuk dalloi askënd veç vetes së tij, sigurisht me kurorën mbi kokë.

Gibran Khalil Gibran, shkrimtar libanez
Përshtati: Elmaz Fida, përkthyes albanez