Të gjitha lavdet dhe falenderimet i takojnë vetëm Allahut të Madhëruar. Vetëm Atë e falenderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Me të vërtetë, atë njeri që Allahu i Madhëruar e ka udhëzuar në rrugë të drejtë nuk ka kush ta humbasë e ai njeri që e ka humbur veten e tij nuk ka kush ta udhëzojë në rrugë të drejtë. Dëshmoj dhe deklaroj se nuk zot tjetër që e meriton të adhurohet përveç Allahu të Madhëruar, Një të Vetëm e të pashok në sundimin e Tij. Gjithashtu dëshmoj dhe deklaroj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Allahut, i cili e përçoi mesazhin hyjnor tek të gjithë njerëzit. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për profetin Muhamed, familjen, të afërmit, shokët dhe për të gjithë ata të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra!
Njeriu, sipas natyrës me të cilën e ka krijuar Allahu, është qenie shoqërore. Ai mund të jetojë edhe i vetëm, por një mënyrë e tillë jetese do të ishte tepër e vështirë për të, pasi natyra e tij e shtyn të ndërveprojë dhe të shoqërohet me të tjerët. Pra, është në natyrën e njeriut të jetojë në bashkësi dhe të jetë pjesë e një komuniteti.
Mirëpo, asnjë bashkësi nuk mund të funksionojë siç duhet pa iu përmbajtur rregullave, ligjeve dhe sistemeve që e rregullojnë jetën e saj. Po kështu, çdo bashkësi ka nevojë për një udhëheqës, i cili merr përsipër drejtimin dhe organizimin e saj, qoftë ai sundimtar, mbret, president, kryeministër apo dikush tjetër që ushtron përgjegjësinë e udhëheqjes.
Për këtë arsye, historia dëshmon se, që nga kohët më të lashta, çdo qytetërim ka pasur udhëheqës dhe drejtues, të cilët kanë marrë përsipër drejtimin e popujve të tyre.
Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra!
Islami kërkon që udhëheqësit ta kuptojnë pushtetin si përgjegjësi dhe amanet, e jo si privilegj apo mjet për përfitime personale. Ata duhet të udhëheqin me drejtësi, të jenë të ndershëm dhe të mos bëjnë dallime të padrejta mes njerëzve. Udhëheqësi duhet të kujdeset për mirëqenien e popullit, të mbrojë të drejtat e tij dhe të sigurojë që secili të trajtohet me dinjitet. Ai duhet të jetë i mëshirshëm, modest dhe i gatshëm të dëgjojë mendimet e të tjerëve, duke u konsultuar me njerëzit e urtë dhe me përvojë. Islami e ndalon padrejtësinë, korrupsionin, shpërdorimin e pasurisë publike dhe keqpërdorimin e pushtetit. Udhëheqësi duhet të jetë shembull i mirë në fjalë dhe në vepra, si dhe të mbajë përgjegjësi për vendimet e tij. Ai duhet të punojë për të mirën e përgjithshme dhe jo vetëm për interesat e veta apo të një grupi të caktuar. Në këndvështrimin islam, vlera e udhëheqjes nuk matet me pushtetin që zotëron njeriu, por me drejtësinë që vendos, përgjegjësinë që mban dhe të mirën që u sjell njerëzve.
Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra!
Megjithatë, historia dëshmon se jo të gjithë udhëheqësit e kanë ushtruar pushtetin në shërbim të popullit. Shpeshherë, egoja, etja për pushtet dhe dëshira për të ruajtur privilegjet personale i kanë shtyrë ata ta shohin udhëheqjen si mjet për përmbushjen e ambicieve të tyre. Në vend që të kujdesen për interesat e qytetarëve, ata e shfrytëzojnë pozitën për të forcuar pushtetin, për të pasuruar veten dhe për të favorizuar rrethin e tyre. Në këto raste, barra e keqqeverisjes, e korrupsionit dhe e vendimeve të padrejta bie mbi shpatullat e masave të gjera të popullit. Ndërsa një pakicë gëzon privilegje dhe përfitime, shumica përballet me vështirësi ekonomike, padrejtësi dhe mungesë mundësish. Kështu, pushteti, i cili duhet të jetë një amanet për t’u shërbyer njerëzve, shndërrohet në një instrument sundimi dhe shfrytëzimi. Pikërisht këtu qëndron rreziku më i madh i udhëheqjes: kur udhëheqësi harron se pushteti është përgjegjësi ndaj njerëzve dhe se, herët a vonë, do të japë llogari për mënyrën se si e ka ushtruar atë.
Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra!
Duke shfletuar Kuranin fisnik dhe duke studiuar jetën e të Dërguarit të Allahut (a.s.), mund të vërejmë qartë se si udhëheqësit dhe elitat e ndryshme të një populli e kanë shfaqur etjen e tyre për pushtet, duke u përpjekur ta ruajnë atë me çdo mjet dhe mënyrë të mundshme. Të shtyrë nga egoja, ambicia për sundim dhe frika e humbjes së pozitës, ata shpeshherë nuk kanë ngurruar të përdorin padrejtësinë, mashtrimin dhe shtypjen për të mbrojtur interesat e tyre. Një nga shembujt më domethënës dhe më të qartë që e dëshmon këtë realitet është historia e Musait (a.s.) me Faraonin, i cili, i verbuar nga mendjemadhësia dhe dëshira për të ruajtur pushtetin, e shndërroi sundimin e tij në një mjet shtypjeje dhe nënshtrimi ndaj popullit.
Pushtetarët që udhëhiqen nga egoja dhe interesat personale shpesh jetojnë nën frikën e vazhdueshme se mos e humbasin postin dhe privilegjet që ai u siguron. Për ta, pushteti nuk është thjesht një detyrë apo përgjegjësi, por një burim përfitimesh materiale, ndikimi dhe autoriteti. Humbja e tij do të thotë jo vetëm largim nga pozita e lakmuar, por edhe humbje e privilegjeve, e mundësive për përfitime personale dhe e ndikimit mbi të tjerët. Pikërisht kjo frikë i shtyn të kapen pas pushtetit me çdo kusht, duke përdorur premtime, propagandë, favore dhe, në raste të caktuara, edhe mjete të padrejta për të siguruar vazhdimësinë e sundimit të tyre. Ata mund ta shohin çdo kundërshtar si kërcënim, çdo kritikë si rrezik dhe çdo kërkesë për llogaridhënie si përpjekje për t’i rrëzuar nga posti. Në vend që të përqendrohen te përmbushja e detyrave, energjinë e tyre e harxhojnë për të ruajtur pozitën. Kështu, interesi personal mbizotëron mbi interesin publik, ndërsa pushteti, në vend që të jetë mjet shërbimi, kthehet në një privilegj që ata përpiqen ta mbajnë sa më gjatë. Në thelb, frika e humbjes së pushtetit zbulon se sa larg mund të shkojë njeriu kur postin e vlerëson më shumë se amanetin, privilegjin më shumë se përgjegjësinë dhe interesin e vet më shumë se të mirën e popullit.
Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra!
Nëse e shfletojmë Kuranin fisnik nga fillimi deri në fund, nuk do të gjejmë asnjë ajet ku Musai (a.s.) i kërkon Faraonit të zbresë nga froni dhe të heqë dorë nga pushteti. Edhe pse kjo mund të nënkuptohet nga konteksti i ngjarjeve, një kërkesë e tillë nuk përmendet shprehimisht në Kuran. Mesazhet kryesore që Musai (a.s.) i përcolli Faraonit ishin dy: së pari, ta kthente vëmendjen te Allahu dhe të besonte në Të; së dyti, t’i linte të lirë bijtë e Israilit (Benu Israilët). Allahu (xh.sh) thotë: “Shkoni tek ai dhe i thoni: ‘Ne jemi të dërguarit e Zotit tënd, prandaj dërgoji bijtë e Israilit me ne dhe mos i mundo ata. Ne të kemi sjellë një shenjë nga Zoti yt. Paqja qoftë mbi atë që ndjek udhëzimin!’ Na është shpallur se dënimi do të bjerë mbi atë që përgënjeshtron dhe largohet nga e vërteta.”[1]
Mesazhi i parë ishte i qartë dhe i drejtpërdrejtë: Faraoni duhej të besonte në Allahun, Zotin e botëve, dhe, si rrjedhojë, t’u nënshtrohej urdhrave dhe ndalesave të Tij. Një besim i tillë do ta detyronte të hiqte dorë nga padrejtësitë, nga përhapja e shkatërrimit dhe e korrupsionit, nga diskriminimi dhe ndarja e njerëzve në shtresa të pabarabarta, si dhe nga derdhja e gjakut të pafajshëm. Nëse do ta njihte Allahun si Zotin e tij dhe do ta kuptonte përgjegjësinë që kishte përpara Tij, Faraoni do të kuptonte se pushteti nuk është një privilegj personal, nga i cili njeriu duhet të përfitojë sa më shumë për interesat e veta, por një përgjegjësi e madhe, që kërkon përkushtim dhe angazhim të vazhdueshëm për të mirën dhe mirëqenien e popullit.
Në këtë këndvështrim, nëse Faraoni do të besonte në Allahun dhe do t’u përmbahej urdhrave dhe ligjeve të Tij, kjo nuk do të nënkuptonte domosdoshmërisht se ai duhej të hiqte dorë nga pushteti. Përkundrazi, ai mund të vazhdonte të qëndronte në krye të Egjiptit, por me një ndryshim thelbësor në mënyrën se si e ushtronte pushtetin: jo si një sundimtar që i shtypte njerëzit dhe i trajtonte ata si mjete për përmbushjen e interesave të veta, por si një udhëheqës që e kuptonte pushtetin si përgjegjësi dhe amanet.
Edhe mesazhi i dytë i Musait (a.s.) ishte i qartë: ai i kërkoi Faraonit t’i linte të lirë bijtë e Israilit, të cilët i kishte nënshtruar dhe i kishte trajtuar padrejtësisht. Kjo kërkesë lidhej me shpëtimin e këtij populli nga shtypja dhe me lejimin e tij për të ndjekur rrugën që Allahu kishte përcaktuar për të. Pra, edhe në këtë rast, kërkesa e shprehur në Kuran nuk ishte që Faraoni të hiqte dorë nga froni, por që t’i jepte fund shtypjes dhe t’i lironte bijtë e Israilit.
Prandaj, në mesazhet e Musait (a.s.) drejtuar Faraonit nuk gjejmë një kërkesë të shprehur për dorëheqjen e tij nga pushteti. Ajo që kërkohej ishte diçka më thelbësore: ndryshimi i besimit dhe i qëndrimit të tij ndaj Allahut, braktisja e padrejtësisë dhe përfundimi i shtypjes ndaj një populli të tërë. Kjo na kujton se çështja nuk qëndron vetëm te fakti se kush e mban pushtetin, por edhe te mënyra se si e ushtron atë, te drejtësia që vendos dhe te përgjegjësia që mban përpara Allahut dhe njerëzve.
Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra!
Në këtë kontekst mund të përmendim një ajet kuranor që, në pamje të parë, mund të krijojë përshtypjen se nënkupton edhe largimin e Faraonit nga pushteti. Allahu (xh.sh) thotë në suren Kasas: “Ne dëshirojmë t’u japim mirësi atyre që janë shtypur në tokë, t’i bëjmë udhëheqës dhe t’i bëjmë trashëgimtarë.”[2]
Nëse e lexojmë këtë ajet të shkëputur nga konteksti, mund të mendojmë se Allahu po flet për largimin e Faraonit nga pushteti dhe zëvendësimin e tij me bijtë e Israilit. Mirëpo, nëse e shqyrtojmë me kujdes, vërejmë se ajeti nuk paraqet një kërkesë të Musait (a.s.) drejtuar Faraonit, por shpreh vullnetin dhe premtimin e Allahut për të shtypurit: t’u japë mirësi, t’i bëjë udhëheqës dhe t’i vendosë në pozitën e trashëgimtarëve të pushtetit në tokë. Pra, kemi të bëjmë me atë që Allahu kishte përcaktuar për përfundimin e kësaj përballjeje, dhe jo me një kërkesë të shprehur të Musait (a.s.) që Faraoni të jepte dorëheqjen.
Së dyti, konteksti i ajetit e përforcon këtë kuptim. Në ajetin pasues, Allahu i Lartësuar thotë se dëshironte t’u jepte të shtypurve vendosmëri në tokë dhe t’i bënte Faraonin, Hamanin dhe ushtritë e tyre të përballeshin me atë që i druheshin. Kjo tregon se përfundimi i ngjarjes ishte rrëzimi i pushtetit të Faraonit dhe çlirimi i bijve të Israilit. Megjithatë, fakti që Allahu kishte përcaktuar këtë përfundim nuk do të thotë se Musai (a.s.) ia kishte paraqitur Faraonit dorëheqjen si një kërkesë të drejtpërdrejtë.
Së treti, duhet të dallojmë mes mesazhit që Musai (a.s.) i përcolli Faraonit dhe përfundimit që Allahu kishte përcaktuar për këtë ngjarje. Në ajetet ku përshkruhen kërkesat e Musait (a.s.), ai e fton Faraonin te Zoti i botëve, e paralajmëron për tejkalimin e kufijve dhe i kërkon t’i lirojë bijtë e Israilit e të mos i mundojë. Në këto kërkesa nuk përmendet shprehimisht dorëheqja e Faraonit nga pushteti. Nga ana tjetër, Kurani na tregon qartë se përfundimi i sundimit të tij ishte pjesë e zhvillimit të ngjarjes dhe e realizimit të premtimit hyjnor.
Prandaj, të nderuar besimtarë, nuk duhet t’i ngatërrojmë dy çështje të ndryshme: atë që Musai (a.s.) i kërkoi shprehimisht Faraonit dhe atë që Allahu kishte përcaktuar se do të ndodhte në përfundim të kësaj përballjeje. Ajeti i sures El-Kasas flet për fatin e të shtypurve dhe për ngritjen e tyre në pozitën e udhëheqësve, por nuk dëshmon se Musai (a.s.) i kërkoi Faraonit të jepte dorëheqjen. Kjo është arsyeja pse, kur e ndërtojmë argumentimin tonë mbi Kuranin fisnik, duhet të dallojmë me kujdes atë që teksti thotë shprehimisht nga ajo që mund të kuptohet prej kontekstit dhe nga përfundimet që nxjerrim ne.
Për më tepër, të nderuar besimtarë, mund të përmendim edhe një moment tjetër domethënës nga historia e Musait (a.s.) me Faraonin. Në suren Junus, tregohet se Musai (a.s.) i lutet Allahut kundër Faraonit dhe parisë së tij, duke thënë: “Zoti ynë! Ti i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri në jetën e kësaj bote, o Zoti ynë, që t’i largojnë njerëzit nga rruga Jote. Zoti ynë, shkatërroja pasurinë dhe ngurtësoji zemrat e tyre, që të mos besojnë derisa të shohin dënimin e dhembshëm!”[3]
Ky ajet nuk duhet kuptuar si dëshmi se Musai (a.s.) e kishte kundërshtuar që në fillim vetë faktin që Faraoni ushtronte pushtetin, por si shprehje e një përballjeje që kishte arritur në një pikë kritike. Faraoni dhe paria e tij nuk po e përdornin më pasurinë dhe autoritetin thjesht për të qeverisur, por i kishin kthyer ato në mjete për t’i larguar njerëzit nga rruga e Allahut dhe për të vazhduar shtypjen. Pra, çështja nuk ishte thjesht se kush e mbante pushtetin, por se si po përdorej ai dhe çfarë pasojash po sillte për njerëzit dhe besimin e tyre.
Në këtë kuptim, lutja e Musait (a.s.) vjen pas një historie të gjatë mohimi, arrogance dhe padrejtësie, kur sjellja e Faraonit dhe e parisë së tij kishte arritur një pikë të rëndë. Megjithatë, duhet të jemi të saktë: ajeti nuk përcakton shprehimisht se kjo lutje u bë vetëm pasi “u mbush kupa”, as nuk pohon se Musai (a.s.) e kishte pranuar më parë si të drejtë sundimin e Faraonit. Ajo që na lejon të themi është se Musai (a.s.) e lidh lutjen e tij me keqpërdorimin e pasurisë dhe të pushtetit për t’i larguar njerëzit nga rruga e Allahut. Kjo e bën ajetin dëshmi të rëndësishme për pasojat e pushtetit të keqpërdorur, por jo argument të drejtpërdrejtë se Musai (a.s.) i kishte kërkuar Faraonit dorëheqjen nga posti.
Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra!
Detyra e Faraonit ishte fare e qartë: të pranonte mesazhin hyjnor dhe t’i nënshtrohej të vërtetës që i sollën Musai (a.s.) dhe Haruni (a.s.). Por ai nuk e bëri këtë. Përse? Arsyet mund të jenë të shumta, por njëra prej tyre qëndron në themel të qëndrimit të tij: egoja e tij e sëmurë dhe etja e pakufishme për të ruajtur pushtetin.
Egoja e tij e sëmurë për pushtet e shtyu të mos besonte në Allahun dhe të mos i nënshtrohej urdhrit të Tij.
E shtyu të mohonte mesazhin e Musait (a.s.) dhe të Harunit (a.s.).
E shtyu të mos e pranonte të vërtetën, edhe kur ajo iu bë e qartë.
E shtyu të mos mjaftohej me argumentet dhe mrekullitë e shumta që iu paraqitën.
E shtyu të zhytej gjithnjë e më thellë në arrogancë dhe mendjemadhësi, duke e konsideruar veten mbi të tjerët.
E shtyu të mos pranonte asnjë zë që vinte në kundërshtim me vullnetin e tij, sepse kërkonte që të gjithë të mendonin ashtu siç mendonte ai dhe t’i bindeshin atij pa kundërshtim.
E shtyu ta përdorte pushtetin për të mashtruar njerëzit, për të shpërqendruar vëmendjen e tyre nga e vërteta dhe për ta zhvendosur debatin nga thelbi i çështjes. Këtë e ilustron edhe urdhri që i dha Hamanit për të ndërtuar një kullë, me qëllim që, sipas pretendimit të Faraonit, të ngjitej te Zoti i Musait.
E shtyu të vazhdonte një sundim të mbështetur në padrejtësi, shfrytëzim dhe korrupsion, duke e vënë pushtetin dhe interesat e tij mbi të drejtat dhe mirëqenien e popullit.
E shtyu t’i ndante njerëzit, t’i shtypte të dobëtit dhe të derdhte gjakun e të pafajshmëve, vetëm për të ruajtur sundimin e tij.
Dhe, në fund, egoja e tij e sëmurë për pushtet e çoi drejt një përfundimi tragjik: në fund të detit, ku nuk e shpëtuan dot as pushteti, as ushtria dhe as arroganca e tij.
Ky është përfundimi i një njeriu që e vendos egon mbi të vërtetën, pushtetin mbi drejtësinë dhe interesin personal mbi të drejtat e njerëzve. Ky është fundi i zullumqarëve, të cilët, të verbuar nga pushteti, harrojnë se mbi çdo pushtet njerëzor qëndron pushteti i Allahut!
Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra!
Prej 140 ditësh, për shkak të skandaleve të mëdha të korrupsionit, qytetarë të shumtë kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, të kryetarit të partisë opozitare dhe të gjithë kastës politike. Megjithatë, deri më sot, kryeministri nuk ka dhënë dorëheqjen dhe nuk ka dhënë shenja se ka ndërmend ta bëjë këtë.
Ka pasur raste kur e kam pyetur veten, dhe besoj se edhe ju mund t’ia keni bërë vetes të njëjtën pyetje: Përse kryeministri nuk jep dorëheqjen dhe nuk largohet nga pushteti me dinjitet e nder? Po të isha në vendin e tij – Allahu mos e shkruajtë që të jem zullumqar – do të jepja dorëheqjen menjëherë, nëse do të gjendesha përballë një situate të tillë.
Përgjigjet mund të jenë të shumta, por njëra prej tyre mund të jetë pikërisht ajo që kemi trajtuar: egoja e sëmurë, e cila e bën njeriun të kapet pas pushtetit dhe të mos pranojë të heqë dorë prej tij, edhe kur interesat personale bien ndesh me interesin e përgjithshëm. Kur pushteti shndërrohet në qëllim në vetvete, njeriu mund ta ketë të vështirë të pranojë largimin prej tij, sepse nuk sheh më te posti një përgjegjësi që duhet përmbushur, por një privilegj që duhet ruajtur me çdo kusht.
Allahu na ruajtë ne dhe fëmijët tanë nga çdo e keqe!
Allahu bëftë që kjo çështje të përfundojë me hajër!
Allahu i dhëntë fund padrejtësisë dhe i ndëshkoftë zullumqarët me drejtësinë e Tij!
Allahu na dhuroftë paqe, siguri, drejtësi dhe stabilitet!
Imam – Hatib: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Taha: 47 – 48.
[2] – Sure Kasas: 5.
[3] – Sure Junus: 88.








