Ekipet greke vazhdojnë kërkimet për trupat e të vdekurve

Ekipet emergjente kanë vazhduar të heqin mbetjet metalike dhe gjësendet e tjera nga treni i udhëtarëve në Greqi, në përpjekje për të nxjerrë më shumë trupa.

Nga përplasja e dy trenave në afërsi të Selanikut kanë mbetur të vdekur së paku 43 persona, por autoritetet kanë njoftuar se po kërkojnë në çdo centimetër për trupat e udhëtarëve të tjerë.

Ndërkaq, punëtorët e hekurudhave kanë mbajtur grevë njëditore në shenjë proteste për vite të tëra të keqmenaxhimit të hekurudhave.

Sipas Sindikatës së Punëtorëve të Hekurudhave, gjendja e hekurudhave është e mjerueshme në Greqi.

Treni i udhëtarëve është përplasur me trenin e mallrave në orët e vona të së martës.

Nga përplasja e fuqishme është shkaktuar zjarri, duke detyruar udhëtarët që të thyejnë dritaret për të shpëtuar.

Është aksidenti më vdekjeprurës në historinë e Greqisë, teksa më shumë se 50 persona janë të hospitalizuar, gjashtë prej tyre në gjendje të rëndë.

Të mërkurën është arrestuar përgjegjësi i hekurudhave në qytetin Larisa, pasi ende mbetet e paqartë se si ndodheshin dy trena në shinat e njëjtë. /koha